“Qeveria është e hapur për dialog”, Ministri Demo: E drejta për protestë do të respektohet, por dhuna do të ndëshkohet

19/10/2026 12:51

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat e ditëve të fundit, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ta mbrojë atë.

Ministri Demo nënvizoi se ndërhyrja e policisë do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe në përputhje me ligjin, ndërsa dënoi aktet e dhunës dhe theksoi se qeveria mbetet e hapur për dialog me protestuesit. Ai shtoi se çdo person që shkel ligjin do të mbajë përgjegjësi individuale për veprimet e tij.

“E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë atë.

Policia e Shtetit nuk do të jetë asnjëherë nxitëse e përplasjes me protestuesit. Detyra e saj është të garantojë zhvillimin paqësor të protestës, rendin dhe sigurinë e çdo qytetari.

Ndërhyrja e Policisë do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe e ligjshme për të parandaluar apo ndaluar aktet e dhunës, për të mbrojtur jetën, punonjësit e Policisë, qytetarët dhe pronën publike e private, gjithmonë në respektim të parimit të proporcionalitetit.

Protesta është një e drejtë demokratike. Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e saj.

Qeveria mbetet e hapur dhe e gatshme për dialog me protestuesit, në çdo kohë dhe për çdo shqetësim apo kërkesë që ata dëshirojnë të ngrenë. Ne besojmë se dialogu, dëgjimi dhe komunikimi i drejtpërdrejtë janë rruga për të adresuar shqetësimet dhe për të gjetur zgjidhje. Asnjë derë nuk është e mbyllur për dialogun dhe asnjë akt dhune nuk mund ta zëvendësojë atë.

Përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale. Askush nuk mund të fshihet pas të drejtës për të protestuar për të justifikuar shkeljen e ligjit. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të përgjigjet përpara ligjit, pa përjashtim.

Ne do të mbrojmë njësoj të drejtën për të protestuar, sigurinë e qytetarëve dhe autoritetin e ligjit”, shkruan Demo në postimin e tij në rrjetet sociale.

Top Channel