Nuk heq dorë/ Rusia lëshon për dy ditë, gjysmë milion pasaporta në lindje të Ukrainës

03/05/2021 13:54

Edhe pse u duk se tensionet u ulën, Rusia duket e vendosur të vazhdojë provokimet në lindje të Ukrainës.

Brenda dy ditësh, Ministria e Jashtme e Rusisë ka lëshuar 527.000 pasaporta ruse për banorët në lindje të vendit fqinj, ku separatistët e mbështetur nga Rusia janë duke luftuar kundër Kievit.

650.000 pasaporta të reja në rajon kishte lëshuar më herët Moska, pas vendimit të marrë nga presidenti rus, Vladimir Putin në vitin 2019 për të thjeshtuar dhe zgjeruar procesin e dhënies së shtetësisë për banorët në këto zona.

Politika e Moskës për dhënie të shtetësisë në Ukrainë është kritikuar ndërkombëtarisht, pasi shihet si përpjekje për të destabilizuar lindjen e Ukrainës, ku që prej nisjes së luftimeve në prill të vitit 2014, kanë humbur jetën mbi 13.000 persona. Ukraina e ka dënuar natyralizimin e qytetarëve ukrainas, duke e konsideruar këtë vendim si pjesë të luftës hibride të Moskës dhe si shkelje të sovranitetit të vet.

Rusia i ofron mbështetje ushtarake, ekonomike dhe politike separatistëve në disa pjesë të rajoneve Luhansk dhe Donetsk të Ukrainës, por pavarësisht të dhënave të qarta, Moska vazhdon të pretendojë se nuk është e përfshirë në çështjet e brendshme të Ukrainës.

Top Channel