Pas takimit të zhvilluar me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova nuk po e neglizhon dialogun me Serbinë, dhe se i njëjti mund të filloj në muajin qershor.
“Dialogu nuk do të jetë i neglizhuar nga ne. Fillimisht në maj do të kemi këtë darkën e punës me prijësit e Ballkanit Perëndimor, pastaj dikur në qershor mund të fillojmë me kapitullin tjetër të dialogut me praninë edhe të ndërmjetësuesve të BE-së”, ka thënë Kurti në një konferencë të përbashkët për media.
Ndërkaq i pyetur për refuzimin e takimit të paraparë për 11 maj, Kurti është arsyetuar se para se të rinis dialogu, duhet të takohet me opozitën dhe të kenë më tepër informacionet për marrëveshjet e nënshkruara tash e tetë vjet.
“Kemi nevojë për më shumë informacione dhe dokumente për marrëveshjet e kaluara dhe procesit në përgjithësi për tu përgatitur për këtë. Gjatë muajit maj do të takojmë opozitën në Kosovë që të kemi edhe kontributin e tyre. Duam të kemi një dialog të përgatitur mirë. Nuk duam të bëjmë gabime, dhe kjo tregon se po e marrim shumë seriozisht. Vetëm duan dialog të përgatitur mirë”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, Grupi për Ballkan ka njoftuar se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Qeverinë për angazhimin e ekspertëve të jashtëm për procesin e dialogut.
Këtë grup të ekspertëve e përbëjnë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa, Veton Surroi, ndërsa pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala.
“Ekspertët e angazhuar ofrojnë ekpertizë, mbështetje profesionale dhe pëmbajtësore për procesin e dialogut, dhe i vihen në dispozicion Kryeministrit, kabinetit të tij dhe Zëvendëskryeministrit për Integrime evropiane, Zhvillim dhe Dialog. Ekspertët e jashtëm nuk kanë rol përfaqësues apo udhëheqës dhe kontraktohen vetëm nga Grupi për Balkan”, thuhet në njoftim.
Top Channel