Platforma kinematografike e “Netflix” ka shtuar Kosovën, në listën e shteteve, duke vendosur prefiksin +383.
“Netflix” ofron seriale, dokumentarë, filma dhe prodhime të tjera televizive për abonentët nga mbi 190 vende të botës.
Rreth dy muaj më parë, në Kosovë nisi peticioni drejtuar “Netlfix”, “Add Kosovo as a country in Netflix”. Qytetarët e Kosovës kërkuan të regjistrohen në platformë, me numrat e tyre celularë, duke u identifikuar si shtetas nga Kosova.
Në kërkesën zyrtare të nisur nga Sovran Hoti, shkruhej: “Kur kosovarët hyjnë në ‘Netflix’, vendndodhja e tyre duket sikur të është në Serbi, edhe pse ata përdorin ‘Netflix’ nga Republika e Kosovës. Personalisht, kjo më ka ndodhur shumë herë. Unë madje nuk mund ta verifikoj numrin tim të telefonit sepse Kosova nuk shfaqet në listën e vendeve me shënimet e tyre telefonike. Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 nga Serbia. Që atëherë, 98 vende të Kombeve të Bashkuara e kanë njohur Kosovën si një shtet të pavarur, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Propaganda nga Serbia për të minuar Kosovën në arenën ndërkombëtare vazhdon, veçanërisht në platformat kryesore ‘online’. Kjo duhet të ndryshojë. Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë dhe institucionet e saj, dhe pavarësia jonë nuk mund të minohet prej tyre. ‘Netflix’ është një kompani amerikane, dhe pasi që SHBA e njeh Kosovën, ‘Netflix’ shtoni edhe Kosovën si vend në shërbimin e tyre të regjistrimit? Më ndihmoni të drejtohem te ‘Netflix’ dhe ta korrigjoj këtë gabim. Ne jemi vendi më pro-amerikan në botë dhe e duam ‘Netflix’. Dhe me këtë peticion, mendoj se ata do të na dëgjojnë me mirësi”.
Më herët, një peticion i ngjashëm iu drejtua kompanisë “Apple”, pasi në hartën e celularëve “iPhone”, Kosova nuk shfaqej si shtet më vete dhe me emërtimin në shqip. Pas kërkesës, kompania korrigjoi gabimin.
Top Channel