Numërohet kutia e fundit, PS në festë/ “Jemi krenarë për patronazhistët tanë”, Balluku: Fitore e jashtëzakonshme në Kombinat!

26/04/2021 23:51

Po numërohet kutia e fundit në Kombinat, ku edhe pse nuk ka dalë ende rezultati final duket se kryeson bindshëm Partia Socialiste me 15595 vota, ndërsa PD ka siguruar vetëm 9558 vota.

Kandidatja për deputete në zonën e Kombinatit, Belinda Balluku, në një intervistë live për Top Channel u shpreh se ishte një fitore e jashtëzakonshme, duke shtuar se PS ka mundur të sigurojë më shumë se 1000 vota në krahasim me vitin 2017.

“Ne nuk po festonim për Unazën e Re e kemi një projekt fantastik, nuk e kemi për ta festuar as për ta bërë kale beteje. Festuam një fitore ne Kombinat! E gjithë vëmendja që kemi treguar edhe dialogu që kemi pasur me njerëzit, na është shpërblyer me votë. Sot ne kemi më shumë se 1000 vota të marra për PS në krahasim me vitin 2017”, u shpreh Balluku.

Ministrja Balluku ka falënderuar patronazhistët e PS dhe tha se procesi në KZAZ e Kombinatit ka qenë i qetë.

“Ne i parashikojmë lëvizjet tona elektoral, patronazhistët bëjnë pikërisht këtë, mundohen të takojnë sa më shumë njerëz dhe të kenë një target. Jemi shumë krenarë për patronazhistët tanë. Sot kam mësuar se PD në këtë zonë e paska zakon që duke qenë se në kombinat munden vijnë vetëm për të festuar një kuti të vetme, atë të unazës. Ne festojmë fitoren e madhe të Kombinatit, PD feston fitoren e një kutie të ‘vockël’. Ai kalë beteje i kushtoi komuniteti shumë, vonoi punimet për 2 vite dhe në përfundim banorët e Unazës e përdorin atë projekt sot e kësaj dite.Procesi ka ecur shumë i qetë, ka qenë fantastik të gjithë anëtarët e KZAZ pa asnjë lloj problematike”, tha Balluku.

Përsa i përket votave të pavlefshme në këtë KZAZ, Balluku thotë se PS nuk ka shumë vota të pavlefshme, por i përkasin partive të tjera.

“Nga ne çfarë kemi vënë re PS nuk ka shumë vota të pavlefshme i përkasin partive të reja, ka ndikuar fleta e re e këtij procesi. E kam ndjekur me shumë vëmendje, pasi kam dëgjuar edhe në zona të tjera elektoral, por janë shumë pak në kuti që i përkasin PS”, tha Balluku.

Top Channel