Franca zotohet të ‘vijojë luftën kundër terrorizmit’ pas vrasjes makabre të polices në Paris (fotot)

24/04/2021 17:31

Zyrtarët më të lartë të Francës janë zotuar sot të vazhdojnë të luftojnë terrorizmin pas vrasjes me thikë të një policeje nga një i dyshuar si ekstremist islamist, në një stacion policie pranë Parisit.

Kryeministri francez Jean Castex tha se sulmi ndaj oficeres tragjike ishte një sulm ndaj të gjithë Francës, dhe se një hetim terrorizmi është hapur për ngjarjen.

“Përsëri, Republika është sulmuar, përsëri shteti francez është kërcënuar. Ne nuk do ta lëmë këtë të kalojë”, zotohej Castex duke folur me gazetarët nga qyteti jugor i Toulouse.

Punonjësja 49-vjeçare e policisë u godit për vdekje dje në qytezën e Rambouillet, në jugperëndim të Parisit, nga një 36-vjeçar tunizian rezident në Francë, i cili më pas u vra nga policia.

Në hetimet e terrorit që po zhvillohen, raportohet se sulmuesi kishte studiuar më parë vendin e sulmit. Prokurorët thanë se gjatë aktit ai kishte thërritur“Allahu Ekbar,” që arabisht do të thotë “Zoti është më i madhi,”.

Sulmi u dënua gjithashtu nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili u zotua të vijojë luftën kundër islamistëve radikalë. “Nuk do të na ndalojë asgjë në luftën tonë kundër terrorizmit islamik”, tha Macron pas sulmit.

Franca ka qenë më parë një objektiv i shpeshtë i sulmeve terroriste, ndërsa vitin që shkoi ndodhi vrasja makabre e mësuesit që kishte treguar në klasë karikatura të profetit musliman Muhamed.

Kjo pasi Macron ka përsëritur qëndrimin laik të vendit të tij dhe të drejtën e publikimit të karikaturave të profetit musliman si pjesë e lirisë së shprehjes.
Komentet e Macron kanë shkaktuar një seri protestash në vende muslimane duke përfshirë dhe Turqinë, ku është kërkuar bojkotimi i mallrave franceze prej“Islamofobisë” së Parisit.

FOTO GALERI
2/6
Sulmuesi më pas u qëllua për vdekje nga të paktën një prej kolegëve të viktimës.

Top Channel