Në aksionin gjatë orëve të natës Policia e Tiranës ka mundur të vërë në pranga tre persona, si dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.
Këta persona akuzohen për vepra të ndryshme penale, mes tyre një 27-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për “Vrasje” e mbetur në tentativë “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”
Po ashtu në fshatin Arbanë në ambientet e zyrës së një kompanie, është vjedhur një sasi lekësh. Policia është duke vijuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Njoftimi i plotë:
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit R. G., 27 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje” e mbetur në tentativë “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike” pasi me datë 20.03.2021, në rrugën “Shaban Bardhoshi” ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të baneses së shtetasit A. K.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 27 vjeç, pasi ka tentuar të vjedhë sende me vlerë në banesën e shtetasit E. E.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. Sh., 29 vjeç, në rrugën e Kavajës, nga kontrolli i ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, në mjetin tip “Benz” me të cilin ky shtetas qarkullonte iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë të dyshuar kanabis.
Më datë 22.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit F. B., 27 vjeç, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër (punohet për identifikimin e tij) në rrugën e Kosovarëve, kanë goditur me sende të forta shtetasin D. T., 26 vjeç.
Më datë 23.04.2021, në fshatin Arbane, në ambientet e zyrës së një kompanie, është vjedhur një sasi lekësh Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Top Channel