Lideri bjellorus Alyaksandr Lukashenka ka pretenduar se ka qenë shënjestër e një komploti vrasjeje të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara, derisa inteligjenca ruse ka thënë se dy bjellorusë të ndaluar në Moskë këtë javë, janë të dyshuar për lidhje me komplotin.
Në njoftimin e tij më 17 prill, Lukashenka nuk ka ofruar të dhëna për të përkrahur këtë pretendim.
Zyrtarët amerikanë nuk u janë përgjigjur këtyre supozimeve.
Mirëpo udhëheqësi i agjencisë kryesore të sigurisë në Bjellorusi, KGB, ka lidhur komplotin e supozuar me një diskutim në aplikacionin Zoom verën e kaluar, në mes të disa ekspertëve bjellorusë bashkë me ish-zyrtarë për zbatim të ligjit, të cilët kanë diskutuar situatën politike në këtë shtet.
Lukashenka, i cili ka udhëhequr Bjellorusinë për gati tri dekada dhe ka akuzuar shpesh vendet perëndimore për tentim të rrëzimit të tij nga pushteti, ka shpallur fitore në zgjedhjet presidenciale, të mbajtura në gusht të vitit të kaluar.
Supozimet për vrasje vijnë edhe në kohën e rritjes së tensioneve në Ukrainën fqinje, pasi Rusia ka rritur prezencën ushtarake në lindje të Ukrainës, dhe Kievi ka paralajmëruar për intervenim të mundshëm ushtarak.
Rusia është aleatja kyçe e Bjellorusisë dhe Moska synon tash e sa vjet të forcojë lidhjet me Minskun.
Mirëpo Lukashenka ka rezistuar, duke iu frikësuar humbjes së pavarësisë bjelloruse, por edhe vetë autoritetit të tij.
Top Channel