Ajo njihet si vajza e tatuazheve, jo vetëm sepse ka 30 të tillë në trup, por edhe për faktin se që prej 8 vitesh punon si tatuatore.
Perla Naçi e nisi këtë pasion dhe profesion në moshën 19-vjeçare për ta vijuar me shumë përkushtim. Ndonëse me dëshirën e prindërve ajo nisi studimet për fizikë dhe inxhinieri nuk ishte e thënë që t’i përfundonte ato sepse shkencat ekzakte nuk ishin qëllimi i saj.
Që në adoleshencë ajo spikaste për prirjet artistike, i pëlqente që të vizatonte skica, figura apo simbole të veçanta dhe shpeshherë edhe të çuditshme.
Talentin e saj e vuri re më vonë edhe bashkëshorti Florani, i cili e mbështeti për të punuar si tatuatore. Ajo u trajnua edhe disa muaj në Athinë me ekspertë të kësaj fushe dhe që prej asaj kohe vijon të ketë shumë kërkesa për tatuazhe nga të gjitha moshat, nga gra e burra, madje edhe nga personazhe të famshëm.
Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë është vënë re një rritje e numrit të vajzave tatuatore. Sipas statistikave për vitin 2020 në Amerikë 25 % e artistëve të tatuazheve janë gra dhe 71.3% e tyre janë burra. Italia rezulton si një ndër shtetet ku bëhen më shumë tatuazhe e pasuar nga Suedia, Amerika, dhe Australia.
Perla ishte e ftuar sot në “Wake Up”, ku rrëfeu si lindi pasioni i saj për të bërë këtë punë.
“Kam qenë nxënëse shumë e mirë, të gjithë prisnin të bëhesha kryeministre (qesh). Unë e gjeta veten, sepse tatuazhi është diçka që mijëra njerëz do të mbajnë mend për gjithë jetën e tyre. Një shenjë në trup për gjithë jetën.
Ndoshta nuk mund të mbajnë mend fytyrën tënde, emrin tënd, por ama është ajo goca që më ka bërë këtë gjënë në trup.
Tatuatori mund të bëjë një gabim, sepse gabimet janë njerëzore, por në tatuazhe të mëdha ke mundësi të rregullosh, por në tatuazhe të vogla nuk rregullohen dhe gabimi është i pafalshëm.
Kanë domethënie tatuazhet e mia. Kam shumë zogj si tatuazh në trup, sepse janë simbol i lirisë, sidomos dallëndyshja”, u shpreh Perla./gazetashqip
Top Channel