Skandali i vjedhjes së të dhënave nga e-albania/ Balla: Akuzat për databazën janë servirur nga një portal pranë PD. Ja thirrja që ka për SPAK

14/04/2021 11:20

Së fundmi është publikuar ekzistenca e një “database”, ku Partia Socialiste ka një listë me qytetarë me të drejtë vote, ku nga aktivistë të saj bëhet një analizë e mundshme e votës, duke parë njohjet dhe shpërndarjet në terren.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ishte i ftuar në emisionin “Breaking” në Top News dhe është shprehur se akuzat për databazën janë servirur nga një portal pranë Partisë Demokratike.

Balla i bën thirrje SPAK dhe prokurorisë që të hetojnë rreth kësaj çështje, si dhe personat të cilët kanë shpërndarë lajme të rreme të mbajnë përgjegjësi penale.

Sekretari i Përgjithshëm i PS thotë se kushdo që ka hedhur baltë mbi partinë e tyre do të përballet juridikisht me ta.

Balla thotë më tej se Partia Socialiste pret që në zgjedhjet e 25 prillit të mund të sigurojë 800 mijë vota.

“PD bën ca ngacmime që nuk kanë as peshë dhe as vlerë. PD duhet të kuptojë që zgjedhjet janë vendimi i popullit dhe jo i partive. Akuzat për databazën janë servirur nga një portal pranë PD. Çdo parti politike ka databazën e saj dhe bën sondazhe. Thirrje SPAK ta hetojë këtë çështje, por edhe ata që shpërndajnë lajme të rreme. Për çdo kallëzim të rremë mbahet dhe përgjegjësi penale. Partia Demokratike është duke shkruar raportin për mosnjohjen e zgjedhjeve . Ky është një plan i gjerë për alibinë e PD për humbjen e zgjedhjeve. Unë ju thashë si funksionon ngritja e database në të gjithë partitë në të gjithë botën”, u shpreh Balla.

“Ne presim që në zgjedhjet e 25 prillit PS të sigurojë rreth 800 mijë vota shqiptarësh që janë të gatshëm të mbështesin Edi Ramën. Gjithë fushata zgjedhore organizohet e tillë në kohë. Nuk ka asgjë për tu shqetësues, është një formë organizimi që është shumë transparente, të dhënat që disponon e-albania janë të disponueshme për këdo. Ne në Shqipëri kemi garantuar me ligj mbrojtjen e të dhënave personale. Gjithmonë jam i parimit se në momentin që fillon hetimi nga drejtësia shamata duhet të pushojë, mendoj se duhet nxitur institucioni i Prokurorisë ta hetojë këtë çështje deri në fund. PS të gjithë sharësat me pagesë në protokollet e parave të PD dhe këdo tjetër që ka përdorur mediat për të hedhur baltë mbi PS do të përballet juridikisht. PS nuk prek asnjë të dhënë personale në mënyrë të jashtëligjshme”, shton më tej Balla.

Top Channel