SPAK jep pretencën për dy policët e dyshuar për korrupsion në Orikum, kërkon 2 vite burg për secilin
Nga Filip Çakuli
Qëllohet polici, jo vetëm me gurë, por edhe me molotovë e me mitraloz fishekzjarrësh? E qëllon për ta plagosur, për ta djegur apo për ta vrarë?
Kreu i opozitës i quan këta njerëz heronj. Heroizëm qenka, pra, të shkatërrosh bulevardin, të shkulësh semaforët, të djegësh kioska, të plaçkitësh dyqane e bankomate dhe t’u vësh flakën institucioneve publike? Po edhe të qëllosh policin me molotov, me shpresën se do ta vrasësh, hyn në listën e dekoratave të demokracisë?
Me këtë logjikë, Shqipërisë i duhet urgjentisht një sistem i ri dekoratash.
Të krijohet Medalja e Semaforit të Shkulur; Urdhri i Molotovit të Artë; Titulli Hero i Bulevardit të Shkatërruar; Dekorata për Guxim të Veçantë në Plaçkitjen e Bankomatit.
Dhe, natyrisht, titulli më i lartë: Hero i Demokracisë të demkratëve!
Kryetari i opozitës e mori vetë përsipër t’i shpallë heronj flakëhedhësit dhe flakëvënësit, ndaj mund të jetë njëherësh edhe kryetar i Komisionit të Dekoratave, ndërsa molotovistët kandidatë të përhershëm. Madje, për ata që arrijnë të djegin edhe një institucion, mund të parashikohet dekoratë me yll të artë. Për ata që plagosin policë, një gradë më e lartë. Kështu, të paktën, do të ketë njëfarë rregulli në këtë republikën e re.
Mjerë heronjtë e vërtetë, që duhet të lëvizin në varr kur dëgjojnë këto thagma!
Kjo opozitë ka hyrë në historinë e saj mbi tridhjetëvjeçare si specialiste e molotovëve, e vandalizmit dhe e revolucioneve me zjarr e tym. Dhe tani pret që Rama të japë dorëheqjen, jo nga vota, por nga flakët.
Po pse i qëlloni policët? Çfarë ju kanë bërë? Ata nuk janë Rama, as qeveria, as ndonjë ministër. Janë njerëz që qëndrojnë në shi, në të ftohtë e në vapë, për të mbrojtur rendin dhe sigurinë publike. Na mbrojnë ne, por garantojnë edhe sigurinë tuaj për të bërë revolucionin.
Sigurisht, edhe polici duhet të përgjigjet kur shkel ligjin. Uniforma nuk është licencë për dhunë. Por as pakënaqësia politike nuk është licencë për ta djegur atë. Protesta është e drejtë demokratike; dhuna ndaj njerëzve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë.
Dhe këtu hyn në lojë edhe drejtësia. Prokurorët dhe gjyqtarët që përballë akteve të tilla nuk zbatojnë ligjin, duhet të japin llogari për mënyrën si përmbushin detyrën. Sepse mosndëshkimi i dhunës është një ftesë për përsëritje.
Në këtë republikë të përmbysur, polici që digjet është pengesë për revolucionin, vandali që e djeg është hero, ndërsa ai që duhet të mbajë përgjegjësi për të dy është gjithmonë kundërshtari politik.
Si mund të quhen heronj ata që hedhin molotovë. Heroizmi nuk matet me numrin e policëve të plagosur dhe as me metrat katrorë të bulevardit të shkatërruar.
Nëse kjo është demokracia që ofron opozita, atëherë molotovi meriton dekoratë, vandali meriton monument dhe polici duhet të kërkojë falje që nuk u dogj siç duhet.
Kjo nuk është demokraci. Është Republika e Molotovit, ku pushtetin e duan me çdo kusht, por faturën e revolucionit duhet ta paguajë populli.
Vandalizmi duhet të jetë inekzistent në një demokraci funksionale, pavarësisht ne jemi larg kësaj demokracie! (Vandalët kanë qenë fise të bashkuara gjermanike, që sulmuan, plaçkitën dhe i vunë zjarrin Romës, nga shekulli i katërt, i pestë të erës sonë). Pastaj u zhdukën nga historia. Ju i ringjallët. Dhe historia përsëritët. Jo, siç thoshte Marksi, që një herë në mënyrë tragjike dhe herën tjetër në mënyrë komike. Këtu vazhdon tragjike…
Shënim: Ky shkrim është ekskluziv për Top-channel.tv
Top Channel