Një luftanije e prodhuar në vend/ Tajvani fuqizohet përballë kërcënimit nga Kina

14/04/2021 04:04

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing Wen, ka drejtuar ceremoninë e inaugurimit të anijes më të fundit ushtarake të ndërtuar në ishull, Yu Shan, një mjet amfib i ankoruar në port.

Anija 10 mijë tonëshe, ka si qëllim të transportojë trupa, mjete tokësore dhe helikopterë për t’i shërbyer më mirë mbrojtjes në detin e Kinës së jugut. Presidentja Tsai, ka punuar për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Tajvanit që kur ajo erdhi në pushtet në 2016-ën. Ishulli ka nisur të prodhojë nëndetëset e veta, luftëanijet dhe avionët ushtarakë, në një kohë tensionesh të larta me Kinën.

Sipas ministrisë së mbrojtjes në Tajvan, Kina ka dërguar 25 avionë ushtarakë mbi Tajvan, të hënën dhe kjo është edhe shkelja më e madhe e hapësirës ajrore që kur ishulli nisi të raportonte rregullisht aktivitete të tilla. Fluturimet e avionëve kinezë erdhën një ditë pasi sekretari amerikan i shtetit paralajmëroi Pekinin se Uashingtoni ishte i angazhuar në mbrojtje të ishullit demokratik dhe të vetëqeverisur që Kina e konsideron pjesë të territorit të saj.

25 avionët e dislokuar nga ushtria popullore e Kinës, përfshinin avionë luftarakë 14J-16, katër avionë J-10, katër bombardues H-6K etj. Tajvani u kundërpërgjigj duke lëshuar në fluturim avionët e tij të luftimit, duke vënë në gadishmëri sistemet raketore të mbrojtjes dhe duke paralajmëruar avionët kinezë se kishin hyrë në hapësirën e tij ajrore.

Top Channel