Magazinat e dijes dhe korrentet shpirtërore antikonformiste pësojnë gjithmonë sulme. Richard Ovenden: «Bibliotekat dhe arkivat janë sot objekte më të çmuara se kurrë, pasi sigurojnë akses falas në dije, krejt kundër nga gjigandët dixhitalë që kërkojnë vetëm fitimin».

Biblioteka dhe arkiva ruajnë pasuri të pafundme dijeje, duke mbrojtur në mënyrë të padiskriminuar, siç është edhe e drejtë, libra e dokumenta të çmuar dhe të veneritshëm, nga momenti që shpesh gjykimi është relativ, nëse është e vërtetë që e vërteta është pjellë e kohës. Po aq e lashtë me këtë praktikë ruajtjeje është shkatërrrimi i tyre me zjarr, shpesh me një rit të shfaqur si katarktik respektivisht asaj që nuk pëlqehet. Djegia e librave riparaqitet në rrethana të ndryshme nga lashtësia deri në ditët tona dhe deri në imagjinatën kolektive ka një histori të gjatë, edhe pse Indiana Jones, i arratisur nga Berlini, gjendet që të asistojë në ngjarje ballë për ballë me Hitlerin. Në librin e tij të titulluar “Burning the Books. A History of Knowledge Under Attack”, Richard Ovenden, kryebibliotekari i 25-të i të famshmes Bodleian Library të Oxford, bën një pasqyrë të shkatërrimit të librave për të kujtuar të shumtit që kanë rrezikuar dhe sakrifikuar jetët e tyre për t’i mbrojtur. Një temë aktuale për të gjithë.

Frymëzimi për librin vjen nmga aktualiteti dhe nga detyra juaj tek Bodleian Library e Oxford?

«Kohët e fundit detyra e ruajtjes së dijes ka qenë pjesërisht me rëndësi të reduktuar respektivisht funksioneve dhe shërbimeve që bibliotekat dhe arkivat duhet të garantojnë. Në libër provoj të demonstroj se ruajtja e dijes është një shërbim social jashtëzakonisht i rëndësishëm. Për demokracinë, për komunitetet tona, për të drejtat e individëve. Midis shtytjeve për të shkruar librin ka qenë vendimi për asgjësimin e mijëra dokumentave të marrë nga Home Office, Ministria e Brendshme britanike. Në kuadër të një politike shumë të rreptë dhe kontradiktore ndaj dëmeve të emigracionit, e njohur si “mjedisi armiqësor”, ishte vendosur që të asgjësoheshin dokumenta që regjistronin hyrjen legjitime në Mbretërinë e Bashkuar e shtetasve të ish kolonive, të ardhur nga vitet Pesëdhjetë e këtej si emigrantë nga zona si Inditë Perëndimore apo Azia Jugore. Qenë dokumenta që mund të përdoreshin si mbrojtje nga rreziqet e përzënies. Njoftimet lidhur me këtë asgjësim ndihmuan që të ndryshonte politika e qeverisë: në prillin e 2018 kryeministrja Theresa May u detyrua të kërkojë falje dhe Amber Rudd, ministrja e Brendshme, të japë dorëheqjen. Më në përgjithësi, në erën dixhitale, shoqëria ka ende më shumë nevojë për biblioteka dhe arkiva për të ruajtur e mbrojtur dijen, pasi Google, Facebook dhe Amazon nuk do ta bëjnë për ne, bile do t’ia shisnin të dhënat tona ofruesit më të mirë dhe t’u krijonin pasuri dhe pushtet të madh pak njerëzve. Këto kompani, siç ka shkruar Timothy Garton Ash, janë tani “superfuqi private” dhe unë besoj se bibliotekat dhe arkivat mund të luajnë një rol në heqjen atyre një pjese pushteti në të mirë të shoqërisë. Libri im tenton që nxjerrë në pah sesa pozitiv është roli i ruajtjes së dijes i luajtur nga bibliotekat dhe arkivat».

Sa është e lashtë praktika e djegies së librave?

«Asgjësimi i qëllimshëm i dijes është i lashtë sa krijimi i vetë dijes. I gjejmë prova në Mesopotaminë e 5000 viteve përpara Krishtit, kur lindën bibliotekat dhe arkivat të identifikuara si të tilla nga arkeologët. Tendenca për të sulmuar dijen shikohet në historinë e bibliotekës së Mbretit Assurbanipal të Assirisë (që korrepondon me Irakun e sotëm) të shkatërruar me rënien e qytetit Ninive në vitin 612 B.C. Ishte ndoshta mbledhja e parë ku u provua të përfshihej e gjithë dija e kohës, pjesërisht duke ju marrë vëllime bibliotekave të armiqve. Në libër trajtoj më pas bibliotekën e madhe të Aleksandrisë, që është e famshme prej djegies që e asgjësoi, ndërsa historiografia e kohëve të fundit mendon se ajo ra në çinteresimin e përgjithshëm. Duhet shmangur që ky fat i trishtë të riparaqitet tani për shkak të indiferencës apo mungesës së fondeve. Për paradoks, ia detyrojmë kuptimin tonë të qytetërimit asir punës së studiuesve që analizuan tabelat kuneiforme nga biblioteka e Assurbanipal, të marra në Irak nga arkeologu anglez Arthur Henry Layard në Tetëqindën».

Një rast shumë interesant ka të bëjë me blerjen nga ana e Bibliotekës Vatikane e librave dhe dorëshkrimeve të Princit të Palatinatit, i mundur ushtarakisht. Në këtë rast nuk pati asgjësim librash, por një transferim pushteti.

«Biblioteka Palatine e Heidelberg nuk u shkatërrua kur qyteti u pushtua nga Lidhja Katolike e Maksimilianit të Bavarisë më 1623, por ju mor komunitetit protestant që e kishte krijuar me Reformën në Pesëqindën. Në të qenë mbledhur shumë libra të bibliotekave manastirore të zonës. Kjo pasuri ju dhurua më pas Papës Gregori i XV nga Maksimiliani për të siguruar favore. Sipas meje, ky sekuestrim është i rëndë po aq sa asgjësimi, pasi e privoio një komunitet nga “arsenali i dijes” i tij, duke i bërë protestantët më të dobët dhe Papatin më të fortë nëpërmjet blerjes së mijëra librave e dorëshkrimeve. Fatmirësisht, Biblioteka Vatikane dhe qyteti i Heidelberg po punojnë sëbashku për kthimin dixhital të Bibliotekës Palatine, e cila tani është me akses online të lirë».

Në rindërtimin tuaj ndaleni sidomos tek bibliotekarët dhe arkivistët që heroikisht kanë mbrojtur dhe ruajtur thesaret e tyre në shekuj.

«Biblioteka dhe arkiva kanë mundur ta luajnë rolin e tyre falë njerëzve që kanë punuar dhe punojnë në to. Do të doja që libri im të evidentonte rolin që kanë pasur në ruajtjen e dijes në favor të komuniteteve të tyre, nganjëherë duke rrezikuar apo edhe humbur jetët për të shpëtuar koleksionet. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Vilnius njëgrup hebrejsh merret nga getoja e kryqytetit lituanez për të përzgjedhur libra e dokumenta të destinuara që të asgjësoheshin apo të çoheshin në Gjermani. Të njohur si Papier-Brigade, merrnin në geto çdo mbrëmje libra dhe dokumenta për t’i fshehur, me shpresën që dikush do t’i gjente, megjithëse duke e ditur se mbase edhe vetë ata ka mundësi që nuk do të mbijetonin. Çdo ditë rrezikonin jetët për këtë mision. Në përfundim të luftës shumë prej këtyre dokumentave, të shpëtuara mrekullisht nga asgjësimi, u gjetën. Por historia vazhdon edhe pas lufte, kur libra dhe dokumenta hebraike të mbijetuara u konsideruan antokomuniste nga autoritetet sovjetike dhe u dërguan në furra. Edhe në këtë rast, një bibliotekar lituanez ja arriti në operacionin e shpëtimit, duke fshehur në një kishë të braktisur qindramijëra faqe, të zbuluara pas rënies së komunizmit. Më vonë, në konfliktet ballkanike të viteve Nëntëdhjetë, ushtria serbe shkatërroi libra dhe dokumenta boshnjake, duke shkuar deri në djegien kriminale e Bibliotekës së Sarajevës në gushtin e 1992: kur zjarrfikësa dhe bibiliotekarë provuan të ndërhynë, u gjendën nën zjarrin e snajperëve serbë, të cilët edhe vranë njërin prej bibliotekarëve. Është tronditëse që këto ngjarje, thuajse të panjohura sot, kanë ndodhur një çikë më pak se 30 vite më parë. Nuk duhet ta harrojmë këtë ngjarje dhe duhet të punojmë që të mos përsëritet».

Pavarësisht gjithçkaje, ngjarja mundi të ketë një fund të lumtur, pasi tentativat e asgjësimit gjithsesi kanë ngjallur reagim dhe rezistencë.

«Mendoj se pjesa më pozitive ka qenë reagimi ndaj asgjësimit të së kaluarës dhe shtytja e fortë për ta ruajtur dijen. E shoh këtë forcë në historinë e Papier-Brigade në Lituani, por edhe në historinë e institucionit tim, Bodleian Library në Oxford. Biblioteka universitare u shkatërrua më 1549 – 1550, me qëllim asgjësimin e mbeturinave të katolicizmit, në vijim të afirmimit të Kishës Anglikane. Rreth 500 libra u asgjësuan dhe mijëra faqe u grisën. Sër Thomas Bodley, që ishte diplomuar aty dhe ishte një njeri shumë i kulturuar dhe i pasur, në raporte të shkëlqyera me oborrin e Elizabetës së I, vizitoi bibliotekën dhe, i tronditur nga sa pa, ia kushtoi pjesën e mbetur të jetës dhe pasurinë e tij rindërtimit dhe rithemelimit të bibliotekës, me institucionin i të cilit jam përgjegjës 421 vite më pas, si kryebibliotekari i 25-të. Ruajmë ende libra që na u dorëzuan kur i rithemelua dhe shumë më tepër, duke parë se koleksioni sot numëron më shumë se 14 milion libra».

Në romanin e tij «Fahrenheit 451», Ray Bradbury kujton se nuk është e nevojshme të asgjësohen libra, boll t’u ndalohet leximi. Me djegiet, dëshirohet të fshihet kujtesa. Çfarë diferenca ka krahasuar me censurën?

«Janë tema që kryqëzohen. Nganjëherë censura mund të marrë formën e asgjësimit material, siç bëri bula papnore e vitit 1553 që impononte asgjësimin e Talmud me djegiet e librave në Campo de’ Fiori dhe në Sheshin San Marco në Venezia. Censura dhe asgjësimi janë forma kontrolli të dijes dhe të përhapjes së saj. Censura është një instrument ligjor kontrolli në pretendimin e legjitimitetit, ndërsa djegia e librave është një manifestim force brutale, edhe pse nganjëherë e bërë nën mburojën e ligjeve, siç ndodhi gjatë Reformës dhe Shoahut. Veç kësaj, djegia e librave dhe e dokumentave mund të bëhet nga shtetet për të fshehur gjëra të këqija, siç ndodhi për shumë fuqi europiane ndaj ish kolonive. Ka raste të mirëdokumentuara ku funksionarë qeveritarë britanikë, francezë dhe hollandezë asgjësuan letra që dokumentonin sjelljen e tyre të dhunshme, raciste dhe shfrytëzuese».

Cili është roli aktual i bibliotekave dhe i arkivave?

«Nuk kanë qenë kurrë kaq të rëndësishëm sa sot. Me pabarazitë ekonomike në rritje në shoqëritë tona, bibliotekat mundësojnë një fitim të lirë dijesh. Aksesi falas dhe ruajtja e të dhënave personale i bëjnë bibliotekat, ndryshe nga kompanitë e mëdha teknologjike, një lloj oazi. Megjithatë, edhe pse duke e luajtur këtë rol themelor në të gjithë botën, duke i garantuar dije, informacion dhe internet kujt nuk i ka mjetet, këto institucione përfitojnë fonde gjithnjë e më të pakta. Por ka edhe më: biblioteka dhe arkiva janë të rëndësishme edhe për të luftuar manipulimin e së vërtetës. Duhet të sigurojmë se janë të financuara siç duhet sepse mund të procedojnë me arkivimin e uebsajtve, mediave sociale dhe për të ruajtur dokumentat dixhitale e letër të qeverive, për t’ju dhënë integritet e transparencë proceseve vendimmarrëse të parlamenteve, në mënyrë që njerëzit të mund t’i mbajnë parasysh. Duhet ta njohim punën e bibliotekarëve dhe arkivistëve, si edhe t’i inkurajojmë qeveritë që të investojnë tek ata».

612 B.C. Biblioteka e Assurbanipal në Ninivë, shkatërrohet nga babilonasit dhe medët.

391 A.D. Biblioteka e Aleksandrisë, shkatërrohet nga Perandori Teodosi i I.

1549 – 1550 Oxford, Bodleian Library, shkatërrohet nga anglikanët.

1810 – 1817 Arkivat vatikanë çohen në Paris nga Napoleoni, më pas asgjësohen pjesërisht.

1814 Washington, Library of the Congress, shkatërrohet nga britanikët.

1914 Biblioteka Universitare e Louvenit, digjet nga gjermanët.

1940 Biblioteka Universitare e Louvenit, bombardohet nga nazistët.

1992 Biblioteka e Sarajevës, digjet nga serbët.

2013 Biblioteka e Timbuctu (Mali), shkatërrohet nga xhihadistët.

2014 Biblioteka e Mosul (Irak), shkatërrohet nga ISIS.

(nga La Lettura)

Përgatiti për TemA, ARMIN TIRANA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA