Akzuat e Metës për vjedhje votash, Gjiknuri: Fushata është e qetë në Vlorë, janë deklarata të papërgjegjshme

14/04/2021 12:11

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës,  Damian Gjiknuri ka komentuar ditën e sotme në “Breaking” të Top News komentet e presidentit Ilir Meta, ku thoshte se po krijohet një skenar për të vjedhur vota.

Gjiknuri mohoi akuzat duke theksuar se populli i Vlorës është i paqtë dhe nuk mund të ndodhin situata të tilla duke theksuar se janë deklarata të papërgjegjshme nga ana e presidentit.

“Qytetarët i kanë sytë nga zhvillimi nga paqja,  nga qetësia janë një populli që nuk duan të përqafojnë armët, mezi pret të rifillojnë sezonin se s’do të ketë problem , po erdhi ky të sjellë problem. Më duken deklarata jo të përgjegjshme, më vjen keq se unë respektoj institucionin e presidentit. Nuk dua që të marrë përsipër e rolin e opozitës dhe të lerë funksionin e presidencës. Ç’punë ka ky kur thotë që jam president, pse u shqetësua që po iu shiska partia. Roli i tij është i paqartë, më vjen keq unë nuk kam ofenduar njeri fushata jonë është shumë e qetë”, tha Gjiknuri.

Meta në një televizion lokal të Vlorës tha se qyteti është i kërcënuar nga një ‘tërmet’ si ai i Dibrës dhe do të qëndrojë atje deri më 26 prill.

“Do të jem në Vlorë deri më 26 prill sepse Vlora është e kërcënuar nga një ‘tërmet’ si ai i Dibrës, pra nga prekja dhe vjedhja e votave, që nuk do të tolerohet kurrë. Skenari i Dibrës nuk është hipotetik, por i faktuar. E kam informuar z.Bujar Leskaj dhe z.Petrit Vasili se sipas të dhënave që kam këtu në Vlorë po përgatitet i njëjti skenar që nuk do të tolerohet kurrë”, tha Meta në televizionin lokal në Vlorë.

Top Channel