Rama “nuk i ndahet” opozitës: Nga ata, kemi parë atë që kurrë mos e paftë asnjë familje apo fëmijë i këtij vendi

13/04/2021 11:41

Edi Rama nuk ka hezituar që të ironizojë opozitën nga Prrenjasi për grumbullimet me shumë persona në takimet e tyre në kuadër të fushatës elektorale.

Rama thotë se i ranë rrugës së shkurtër, por thekson se vuajtën për tu ringritur. Megjithatë thekson se do të punojnë për rritje të fuqishme ekonomike dhe për arsimin profesional. Ndërsa deri tani ka pasur shqetësime se për tu futur në universitet ishte vetëm me njohje ose para, sot vendet i zënë studentët falë meritës së tyre.

Edi Rama: Ndalojnë për të thënë do ti japim 1000 euro atij, 30 mijë euro atyre. I keni parë me bori e makina Xhaferrët e Sudet. Kemi parë atë që mos e paftë kurrë më asnjë familje dhe asnjë fëmijë i këtij vendi, pamë sesi ajo fjala që thotë populli “rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”. Jo vetëm na nxori gjatë, por vuajtëm për tu ringritur.

Po kalojmë hendekun e tërmetit dhe pandemisë që gjunjëzoi botën dhe kemi të gjitha arsyet për të besuar se përderisa ne ja dolëm me forcën e besimit dhe durimit që të ringrihemi dhe më të fortë. Përderisa ia dolëm që të dalim hap pas hapi më shpejt nga tuneli i pandemisë, jemi ata që së bashku mund t’ia dalim që ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë, ku ekonomia rritet me punë, me këmbëngulje e durim por rritet për të gjithë.

Dua rritje ekonomike të fuqishme për çdo familje e komunitet dhe kjo është plotësisht e mundur. Investimet më të mëdha që mund të kemi imagjinuar, janë gati. Nga ana tjetër, e kuptoj shumë mirë se sa e rëndësishme që të vazhdojmë me arsimin profesional. 

Të gjithë prindërit bëjnë mirë ta mendojnë se sot investimet për fëmijët e tyre nuk shkojnë më dëm, siç shkonin disa vite më parë, kur diploma që fëmijët e tyre merrnin ishte pa asnjë vlerë. Unë e kuptoj shumë mirë sa e rëndësishme është të vazhdojmë me arsimin profesional. Nuk është mëkat që një vajzë apo një djalë të largohet, por unë dua që kur ata largohen, të kenë një zanat me vete, të kenë atje një vend pune, për të mos rënë pre e trafikantëve. S’ka qenë kurrë e lehtë. 25 prilli është një provë force e karakterit shqiptar. Deri dje hyrja në universitet ishte një pazar i madh. Sot, me reformën tonë dhe me sistemin e ri të hyrjes në universitet, nuk ka më asnjë ankesë. Nuk duhet thënë varja se janë të gjithë njësoj. Sot Prrenjasi është më i mirë se dje, por nesër duhet të jetë shumë më i mirë se sot prandaj duhet të vazhdojmë së bashku. Kemi bërë shumë, ka shumë për të bërë po ka dhe shumë për të humbur për ata që me të drejtë presin me shumë.

Top Channel