Rrjeti social “Facebook” ka njoftuar këtë të mërkurë se ka filluar ndryshimin e algoritmit të tij për të zvogëluar përmbajtjen politikë që shfaqet në faqen fillestare të përdoruesve në Kanada, Brazil dhe Indonezi.
Pasi ndezi diskursin politik rreth globit, “Facebook” po përpiqet të ‘ulë temperaturat’.
Lajmet me më pak përmbajtje politikë do të testohen tek një pjesë e përdoruesve të rrjetit social “Facebok” në Kanada, Brazil dhe Indonezi dhe testimet kanë filluar këtë javë, për tu zgjeruar në javët e ardhshme me përdorues në Shtetet e Bashkuara.
“Gjatë këtyre testeve fillestare do të shqyrtojmë mënyra të ndryshme për të renditur përmbajtjen politike në burimet e njerëzve duke përdorur sinjale të ndryshme dhe më pas do të vendosim për qasjet që do të përdorim duke shkuar përpara”, shkroi Aastha Gupta, një drejtore e menaxhimit të produktit në “Facebook”.
Facebook, paraprakisht parashikoi ndryshimin muajin e kaluar, kur Mark Zuckerberg, shefi ekzekutiv, tha se kompania po eksperimentonte në disa mënyra për të hequr debate politike përçarëse midis përdoruesve.
Lajmet në lidhje me politikën nuk do të zhduken totalisht nga faqja kryesore e përditësimit te njoftimeve që postohen nga individë apo faqe që ndiqni. Përmbajtja nga agjencitë dhe shërbimet zyrtare qeveritare do të përjashtohet nga ndryshimi i algoritmit, tha Facebook, ashtu si informacioni për Covid-19 nga organizata si Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Muajin e kaluar, Z. Zuckerberg tha se përdoruesit do të ishin akoma në gjendje të diskutojnë në lidhje me politikën, brenda grupeve private.
Facebook ka qenë nën “shënjestrën” dhe janë kritikuar nga ligjvënësit e të dy partive. Liberalët kanë fajësuar kompaninë për lejimin e përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe keqinformimit, ndërsa konservatorët kanë pretenduar se ato ishin censuruar.
“Facebook” me më pak përmbajtje politike mund të kënaqë kritikët që e fajësojnë atë për rritjen e polarizimit partiak, por mund të shkurtojë edhe kohën që përdoruesit kalojnë në aplikacion. Shumë prej lajmeve të postuara në ‘Facebook’ janë politike dhe debate të ngarkuara politike shpesh gjenerojnë përdorim të madh të këtij rrjeti social.
Top Channel