Islandë/ Sërish llavë dhe hi… një çarje e re në vullkan

06/04/2021 13:41

Llava dhe hiri që po del nga një çarje e re në vullkanin e Islandës që nisi të shpërthente muajin e shkuar, çoi në evakuimin e qindra personave që kishin ardhur për të parë spektaklin.

Çarja e re, e pikasur së pari nga helikopteri monitorues, ishte rreth 500 metra e gjatë dhe rreth një kilometër larg nga vendi fillestar i shpërthimit në luginën Geldinga.

Departamenti i menaxhimit në Islandë njoftoi për një evakuim të menjëhershëm të zonës. Ai tha se nuk kishte rrezik emergjent për jetë njerëzish për shkak të distancës nga vendet ku kureshtarët ngjiten për të parë më nga afër spektaklin.

Zyrtarët thanë se aktiviteti i ri vullkanik nuk pritej të prekte trafikun në aeroportin e afërt të Keflavikut.

Vullkani që ishte i fjetur prej kohësh në gadishullin Reykjanes, në Islandën jug perëndimore, u zgjua më 20 mars, pas dhjetëra e mijëra tërmeteve të regjistruara në zonë në tre javët paraprake. Ai ishte i pari shpërthim vullkanik në rreth 80 vite në zonë. Afërsia e vullkanit me kryeqytetin e Islandës, Reykjavikun, rreth 32 kilometra, ka sjellë një vërshim turistësh në zonë, edhe pse vendi është në izolim të pjesshëm për të luftuar koronavirusin.

Rreth 30 mijë persona kanë vizituar zonën që kur shpërthimi nisi.

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA