Erdogan nga Nju Jorku, mesazh për Trump: Të kapërcejmë pengesat në bashkëpunimin e mbrojtjes

22/09/2026 10:03

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka kërkuar forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Turqisë dhe SHBA-së, duke e vënë theksin te bashkëpunimi në ekonomi, energji dhe mbrojtje.

Gjatë një aktiviteti në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Erdogan foli për marrëdhënien e tij me presidentin amerikan Donald Trump, të cilin e cilësoi si “mik të çmuar”.

Falë kontributit të dialogut tonë të sinqertë dhe të shkëlqyer me mikun tim të çmuar, Presidentin Trump, kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë përparim të rëndësishëm në të gjitha fushat e marrëdhënieve tona”, tha Erdogan.

Erdogan tha se tregtia mes dy vendeve tejkaloi 38 miliardë dollarë gjatë vitit 2025, ndërsa në tetë muajt e parë të këtij viti arriti në 28 miliardë dollarë. Sipas tij, objektivi për ta çuar tregtinë dypalëshe në 100 miliardë dollarë është “realist dhe i arritshëm”.

Presidenti turk kërkoi gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit me SHBA-në në energji bërthamore, LNG, aviacionin civil dhe teknologjitë e avancuara.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua industrisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimit brenda NATO-s. “Ne duam të lëmë pas pengesat që nuk duhet të ekzistojnë kurrë midis dy aleatëve dhe t’u japim një vrull të ri marrëdhënieve tona”, deklaroi Erdogan.

Ai tha se industria turke e mbrojtjes është zhvilluar ndjeshëm dhe se eksportet e sektorit kanë kaluar 10 miliardë dollarë në vit.

Erdogan theksoi se dialogu i ngushtë me SHBA-në është i nevojshëm përballë konflikteve dhe krizave në rajone të ndryshme të botës, ndërsa vuri në dukje edhe rolin strategjik të Turqisë në Lindjen e Mesme, Kaukaz dhe Afrikën e Veriut.

Në fund të fjalimit, presidenti turk shprehu synimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Ankara-Uashington në vitet e ardhshme.

Top Channel