Wake Up/ Emergjente “Autokorrektori i gjuhës shqipe”, “ë-ja” dhe “ç-ja” rrezikojnë të humbasin

05/04/2021 11:43

Të shkruash një gjuhë shqipe standarde pa gabime gramatikore nuk është e lehtë për këdo. Të gjithëve na ndodh shpesh të pyesim veten apo të tjerët nëse po e shkruajmë siç duhet një fjalë të caktuar.

“Për shkak të anashkalimit të rregullave drejtshkrimore shkronja të veçanta si “ë”-ja apo “ç”-ja, po rrezikojnë që të shkojnë drejt zhdukjes në të shkruar, madje edhe në dokumente të rëndësishme”, u shpreh në Wake up pedagogu i financës Leonard Boduri.

Ky është një shqetësim jo vetëm i Leonard Bodurit por edhe i gjuhëtarëve me të cilët ai ka bashkëpunuar për të krijuar autokorrektorin.

Ky program funksionon online dhe një ndër kategoritë që mund ta përdorin më së shumti janë studentët.

I ftuar në “Wake Up”, pedagogu theksoi rëndësinë e këtij programi në të shkruarit korrekt të gjuhës shqipe.

“Është e detyrueshme të shkruajmë shqip sipas normës standarde. Pedagogët në tekste, në shkrime shkencore etj. Si të gjithë, gazetarët e kështu më radhë.

Si çdo gjë, kam përshtypjen që edhe gjuhës shqipe i kemi rënë pak në qafë këto vite. Është pak edhe prirje globale, sepse edhe francezët kanë filluar të marrin pak nga anglishtja.

Edhe në Itali po ashtu, por ne sikur e kemi tepruar pak në këtë gjë. Përdorim fjalë të panevojshme në anglisht. Po flas në tekstet universitare ka gabime drejtshkrimore. Unë nuk i vë fajin atij se është një profesor-doktor dhe jo korrektor i gjuhës shqipe.

Nuk i vë fajin as atij që redakton librin, sepse nuk e ka syrin. Autokorrektori çfarë bën? E para na çlodh sytë, na ndihmon të mos lodhemi shumë, sepse i kap gabimet.

Kemi dy hapësira në tekst, kemi përsëritur dy fjalë, kemi vënë 3-4 pika rresht. Ka shumë elementë që i rregullon, edhe formatim”, sqaroi ai.

Top Channel