Vjosa Osmani është zgjedhur Presidente e Kuvendit të Kosovës.

Osmani është gruaja e dytë, e cila merr postin e Presidentes në Kosovë. Në votim morën pjesë 82 deputetë dhe Osmani mori 71 vota, ndërsa 11 rezultuan të pavlefshme.

Në raundin e tretë të votimeve që u zhvilluan në Kuvend gjatë ditës së sotme mori pjesë edhe Adelina Grainca, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës. Pak para votimit, u pa pranë deputetëve të LVV.

Burime për Top Channel bënë me dije se Grainca kaloi në LVV dhe si rrjedhojë, partisë Lëvizja Vetëvendosja iu bënë 59 deputetë në Kuvend, ndërsa PDK ra në 18.

Kujtojmë se në raundin e dytë të votimit për president morën pjesë 82 deputetë. Vjosa Osmani mori 67 deputetë, Nasuf Bejta fitoi katër vota dhe 11 vota ishin të pavlefshme.

Ndërsa në raundin e parë, morën pjesë 81 deputetë dhe 12 vota ishin të pavlefshme ndërsa 69 ishin për Vjosa Osmanin.

Kush është Vjosa Osmani      

Vjosa Osmani, 38 vjeçare është juriste e diplomuar që është inkuadruar në politikë që në adoleshencë si aktiviste e LDK-së.

Ajo ka lindur në qytetin e Mitrovicës, është e martuar dhe ka vajza binjake. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Tash e tri mandate, Osmani është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, me ç’rast në dy mandatet e fundit, ishte deputetja grua më e votuar në Kosovë.Ndryshe, Osmani-Sadriu është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës.

Vjosa Osmani – Sadriu u lind më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës, Kosovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në qytetin e saj të lindjes. Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë. Përgjatë të gjitha fazave të studimit, ajo ishte bursiste. Si profesoreshë universiteti, në Kosovë ajo ligjëron lëndë nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërkaq në Amerikë ligjëron lëndën “Shtet-ndërtimi dhe e Drejta: Përvoja e Kosovës”.

Aktualisht është kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë. Krahas ndërtimit të karrierës së suksesshme, Vjosa është martuar dhe është nënë e dy vajzave binjake.

Angazhimi politik i familjes së Vjosës, ndikoi në formimin dhe angazhimin e saj politik. Karriera politike e Vjosës filloi qysh në adoleshencë, kur edhe ishte aktiviste e LDK-së, për t’u ngritur më pas ndër vite. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ndonëse në moshë të re, ajo njihet për kontributin e saj të dhënë për pavarësimin e Kosovës, saktësisht njihet kontributi i saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ku në atë kohë ishte pjesë e palës kosovare në mbrojtjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, rast të cilin Kosova e kishte fituar kundrejt Serbisë. Në këtë proces jetik për pavarësimin e vendit, Vjosa ka shërbyer si përfaqësuese e Kosovës.

Vjosa i përfundoi studimet e nivelit bachelor në Kosovë me bursë, e cila iu nda nga Ministria e Arsimit, duke u vlerësuar nga e njëjta si studentja më e mirë e Fakultetit Juridik në Kosovë. Njëherësh, ajo u zgjodh edhe një ndër pesë studentët më të mirë të vendit nga të gjitha fakultetet. Në vitin 2004, ajo ishte përfituese e bursës për përfundim të studimeve të nivelit master në Universitetin e Pitsburg-ut në SHBA. Në vitin 2005 është shpërblyer dy herë me Çmimin “Excellence For The Future Award”, nga Universiteti i Pitsburgut. Në vitin 2009, falë suksesit të treguar, kishte fituar përsëri bursë të plotë studimi, për përfundim të studimeve të doktoraturës në të njëjtin universitet, ku u fokusua përsëri në fushën e Juridikut, konkretisht në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare. Po ashtu, për kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, ajo u vlerësua me Çmimin “Sheth International Achievement Aëard”, nga Universiteti i Pitsburgut.

Fokusi politik i Vjosës është në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për sigurimin e një juridiksioni të pavarur. Po ashtu, ajo është e fokusuar edhe në politikën e jashtme, veçanërisht në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Përveç gjuhës amtare, flet edhe anglishten, turqishten, spanjishten dhe serbishten.

Ka publikuar libra, artikuj, monografi dhe punime nga fusha e të Drejtës Ndërkombëtare dhe Komerciale, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë angleze.

Top Channel