Disa orë protestë të dhunshme, 35 të lënduar u paraqitën në spitale, 16 protestues të shoqëruar në polici

28/11/2026 18:24

35 persona janë paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të marrë ndihmë mjekësore pas lëndimeve të pësuara gjatë protestës së 28 nëntorit.

Shifrat janë bërë publike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në përditësimin e orës 18:00.

Sipas njoftimit zyrtar, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 30 persona të lënduar, mes tyre 9 efektivë policie, 12 protestues, 6 përfaqësues të medias dhe 3 kalimtarë. Një prej gazetarëve është shtetase e huaj.

Nga efektivët e policisë, dy janë transferuar për trajtim në QSUT. Ndërkohë, një protestues dhe një përfaqësues i medias kanë lënë Spitalin e Traumës me këshillën e mjekut.

Ministria bën me dije se aktualisht në Spitalin Universitar të Traumës po marrin trajtim 26 pacientë, të gjithë në gjendje shëndetësore stabël.

Ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 5 persona të tjerë: 3 efektivë policie, një protestues dhe një punonjës sigurie.

Sipas përditësimit zyrtar, deri në orën 18:00, gjithsej 4 të lënduar kanë lënë spitalin.

Ndërkohë 16 persona janë shoqëruar në polici pas përplasjeve dhe tensioneve.

Top Channel