“25 Prilli mbyll derën e së keqes”/ Basha me të rinjtë në Tiranë dhe me të dëmtuarit nga tërmeti në Durrës

04/04/2021 16:47

Arsim cilësor, vende të reja pune dhe të ardhura më të larta. Këto ishin disa nga Premtimet që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, u bëri të rinjve në Tiranë, gjatë një takimi që ai zhvilloi me ta këtë të dielë.

Kryeopozitari Basha, takimet i zhvendosi me tej në Durrës, me banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Ai u zotua para tyre se qeveria e tij, do të përshpejtojë procesin e rindërtimit dhe se personat që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë nga tërmeti do të hetohen nga  një komision i posaçëm parlamentar.

Basha: Dhe detyra kryesore që iu është dhënë është si do të përshpejtojmë procesin e rindërtimit, i cili si çdo gjë në vend ka mbetur peng i interesave korruptive, ka mbetur peng i interesave financiare dhe i lobingjeve personale dhe vetjake të një grushti pushtetarësh dhe një grushti tjetër njerëzish të lidhur me ta. Jo vetëm kaq, por ky grup pune ka marrë për detyrë që të hartojë edhe një dokument i cili do të provojë bazën e një bashkëpunimi të ri me Bashkimin Europian dhe  donatorët e tjerë.

Siç e keni vënë re dhe ju nga konferenca e donatorëve deri më sot lëvrimi i fondeve ka qenë pothuajse inekzistent, arsyeja për këtë është fare e thjeshtë, nuk kalojnë muaj pa u botuar raportet ndërkombëtare që e cilësojnë qeverinë e Edi Ramës më të korruptuarën në botë. Dhe ju e dini, s’ka njeri që nuk e di që çdo qeveri që është donatore është po kështu dhe përgjegjëse sepse paratë  i ka të taksapaguesve të vetë dhe në vendet e Bashkimit Europian, në shtetet e Bashkuara të Amerikës në të gjitha vendet e zhvilluara ka rregulla shumë të qarta që i ndalojnë qeveritë të disbursojnë fonde në vende apo drejt qeverive të cilat janë shënuar të pa besueshme për shkak të rekordeve të korrupsionit. Pra thënë me dy fjalë korrupsioni i kësaj qeverie po i ndëshkon durrsakët dhe zonat e  goditura nga tërmeti dyfishtë.

Top Channel