Zgjedhja e presidentit në Kosovë/ “Vetëvendosje” mbledh firmat për seancën

02/04/2021 16:09

Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur firmat e nevojshme për të zhvilluar seancën e jashtëzakonshme e kuvendit lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri, thotë Radio Europa e Lirë.

Që të thirret seanca, duhen nënshkrimet e të paktën 40 deputetëve. Më pas, kryesia e kuvendit mblidhet për të caktuar kohën e mbajtjes së saj. Lëvizja e Albin Kurtit ka propozuar Vjosa Osmanin për postin e kreut të shtetit. Ish zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në listë të përbashkët me LVV-në dhe mori më  shumë vota, përkatësisht, mbi 300 mijë.

Ish-partia e saj, që tani është në opozitë, gjatë kësaj jave tha se do të marrë pjesë në votimin e presidentit. Kundër zgjedhjes së Osmanit është shprehur sakaq Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ramush Haradinaj e synon vetë këtë post. Ndërkaq, mbështetje për Osmanin kanë shprehur partitë e komuniteteve joserbe.Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave që do të thotë 80 vota.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë. Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Kurti, së fundi deklaroi se ekzekutivi do të sjellë në kuvend planin e tij, pasi të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA