Një minutë heshtje në nder të Bashkim Finos/ Rama nga Lezha: Të mos krijojmë vatra infektimi! Luli si Gjinua me shkesët Meta, Berisha e Monika

30/03/2021 18:45

Takimi i kryeministrit Edi Rama me kandidatët për deputetë në qytetin e Lezhës ka nisur me një minutë heshtje në nder të deputetit Bashkim Fino,  i cili u nda nga jeta një ditë më parë pasi humbi betejën me COVID-in.

Kryeministri Edi Rama ka përmendur sërish grumbullimet që po bën opozita në kuadër të fushatës elektorale, duke shkelur të gjitha masat anti-COVID. Ai theksoi se opozita po jep shembullin më të keq për të gjithë qytetarët, ndërsa PS ka luftuar për të siguruar vaksinat.

“Ajo që na takon është të bëjmë atë detyrë të thjeshtë të mos shkelim ligjin, të mos shkelim rregullat të mos shkelim kufirin etik të njerëzores për politikë dhe për vota duke i vënë njerëzit në rrezik dhe duke krijuar vatra infektimi përmes grumbullimeve absurde të papërgjegjshme që tregojnë se në fund të ditës politika nuk është çështje programesh, idesh dhe fjalësh është çështje karakteri dhe karakterin o e ke o nuk e ke, ato nuk e kanë. Opozita po jep shembullin më të keq të mundshëm, më absurd të mundshëm ndërkohë që e para gjë që duhet të bëjmë ne të japim një shembull shumë të mirë, në gjërat e thjeshta. Ne e kemi humbur trenin e historisë, pasi nuk e kemi zakon që tu kushtojmë rëndësi gjërave të vogla dhe pastaj humbim kohë pa fund në dëm të gjërave të mëdha. Kombet e mëdha fitojnë beteja me gjëra të vogla, dhe kjo është një pikë dalluese shumë e madhe. Ne nuk i zgjedhim kundërshtarët”,  tha Rama.

Rama ka ironizuar opozitën  gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të qarkut të Lezhës e ka krahasuar kreun e PD-së, Lulzim Basha me personazhin e famshëm të kinematografisë shqiptare, Gjinon.

Ai tha se Basha është një dhëndër e nusja është Shqipëria, por ai është Gjinua me shkesët Meta, Berisha e Monika që mbledh dasmorët të bëhen përshesh. kreu i qeverisë ka ironizuar formën e fushatës së Bashës, pas thyerjes së masave anticovid të vendosura për të parandaluar pandeminë.

“Luli është një dhëndër, nusja që kërkohet është Shqipëria, por s’është për Lulin se ai është si Gjinua, Gjinua është për të krijuar idenë që një dasmë do të ndodhë për shkesët Meta, Berisha e Monika. Djali është i mirë, nuk është aq i keq por gjumi i tepërt i ka dëmtuar shumë atë zonën që mendon, se vetë hipën në makinë e ai rri lart në makinë e thotë erdha dua nuse e dasmorët bëhen përshesh. Ata besoj mitingun do ta bëjnë tek Shefqet Ndroqi. Ata dinë vetëm dy gishta e Rama ik. Ne jemi këtu për të përzënë covidin. Tregojnë edhe hallin që kanë ik se ne nuk të mundim dot. Këtu në është fjala për ti zënë rrugën dikujt. Duke qenë me pak njerëz është një fushatë ku mund të flasim dhe jo të bërtasim. Mblodhën gjithë makinat atje në shesh dhe dolën nga makina duke u mbledhur me njëri tjetrin”, tha Rama.

Top Channel