Covid-19 ka marrë një tjetër jetë.
Deputeti socialist, Bashkim Fino është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare. Ai ishte prekur nga COVID-19 prej disa ditësh dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar.
Në nderim të deputetit Bashkim Fino, sot, më 29 mars, nga ora 11:00-16:00, do të organizohen homazhe në Pallatin e Kongreseve. Përcjellja bëhet në orën 16:00.
Në një postim në rrjetet sociale, zv/ kryeministri Erion Braçe, teksa ka publikuar një foto me Finon shkruan: “Tani je ne qiell shoku im”.
Ndërkohë edhe deputetja Mimi Kodheli ka reaguar për ndarjen nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino, i cili humbi betejën me COVID në moshën 59-vjeçare.
Ajo ka ndarë një foto të tyre së bashku kur kanë qenë shokë klase në fakultet, të cilën e ka shoqëruar me fjalë të ndjera.
“Ja ku jemi të dy, shokë të një klase fakulteti. Mbetëm deri sot të tillë, por jam e sigurt do takohemi sërish. Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne, mik i ditëve të mira e të vështira, Bashkim Fino. Do na mungosh të gjithëve, por më shumë Dianës së dashur. Lamtumirë e shihemi në kohë më të mira”, shkruan ajo.
Bashkim Fino lindi më 12 tetor 1962 në Gjirokastër. Ishte Kryeministër i Shqipërisë prej 9 mars 1997 deri më 29 qershor 1997. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Në vitin 1992, Z. Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.
Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme. Prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore.
Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.
Top Channel