Breshëri gjatë natës shkatërron pemëtarinë, dëme të mëdha në Zavalinë të Elbasanit

01/07/2026 10:44

Stuhia e breshrit shkatërron pemëtarinë në Zavalinë të Elbasanit.

Një stuhi e fuqishme breshëri, e shoqëruar me erëra të forta gjatë orëve të natës, ka shkaktuar dëme të mëdha në sektorin e bujqësisë në njësinë administrative Zavalinë, në Elbasan. Sipas banorëve është dëmtuar një sipërfaqe e madhe toke bujqësore, një nga sektorët kryesorë të ekonomisë për këtë zonë.

​Banorët thonë se rrebeshi i breshrit ka zgjatur për disa minuta, por ka qenë aq i dendur sa ka zhveshur pemët frutore nga gjethet dhe ka shkatërruar plotësisht prodhimin e këtij viti.

​Pemët e mollëve, kumbullave dhe vreshtat e rrushit, të cilat ishin në fazën e rritjes së frutit, janë dëmtuar pothuajse 100%. Dëme të konsiderueshme janë shënuar edhe në perimet e stinës, apo sipërfaqet e mbjella me misër​.

Fermerët kërkojnë  mbështetje financiare, pasi pa ndihmën e shtetit do ta kenë të pamundur të rimëkëmben nga  ky dëm.

Top Channel