Në Spanjë, ka media që vijojnë me incidentin me përfaqësuesen e Kosovës, ndërkohë që afron sfida mes La Rojas dhe skuadrës së Bernard Challandes.
Është ky rasti i të përditshmes së njohur AS që duket se këmbëngul në injorimin e Kosovës teksa në tabelën e klasifikimit të Grupit B të kualifikueseve të Botërorit 2022, ku ndodhen Spanja dhe Kosova, nuk e ka shkruar emrin e kësaj të fundit përkrah flamurit të vendit.
Është ky një tjetër moment i turpshëm për median spanjolle pasi krijoi incidentin për himnin dhe flamurin e Kosovës që bëri të qeveria spanjolle të hidhet në veprim e të përgënjeshtrojë gjithçka, duke garantuar pikërisht të kundërtën për shfaqjen e flamurit kosovar dhe interpretimin e himnit.
Për fat të mirë, ka media të tjera në Spanjë që nuk e kanë bërë diçka të tillë dhe bëhet fjalë për të përditshmen tjetër prestigjioze në Madrid, ‘Marca’ . Kjo e fundit e ka shkruar emrin e Kosovës në tabelën e klasifikimit të Grupit B, ndërkohë që në programin e ndeshjeve të tjera e ka shkruar emrin e saj përkrah flamurit të Kosovës. Skuadra përfaqësuese e Kosovës do të luajë ndeshjen e saj me Spanjën në la Cartuja të Sevillas në mbrëmjen e 31 marsit.
Përpara kësaj sfide, dyshimet për vendin e zhvillimit të saj ishin të mëdha duke qenë se Spanja nuk e njeh Kosovën por qeveria spanjolle konfirmoi zhvillimin e saj brenda territorit spanjoll duke i qëndruar deklaratave të saj se kjo përballje do të luhet normalisht sipas rregullave të FIFA-s.
Top Channel