Një oficer policie është mes 10 personave që humbën jetën, pasi një burrë i armatosur hyri në market dhe qëlloi drejt njerëzve.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Boulder në Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Incidenti nisi të hënën në 14:30 sipas orës lokale, shkruan BBC. Akoma nuk dihen motivet që çuan atentatorin të hapte zjarr në market.
Shefja e Policisë së Boulder Maris Herold, në një konferencë për shtyp tha se oficeri i policisë, Eric Talley, Talley ishte i pari që iu përgjigj atentatorit, pasi departamenti u informua se një person i armatosur po qëllonte drejt klientëve. Shefja e policisë i quajti veprimet e oficerit, 51-vjeçar, “heroike”.
“Zemra ime shkon për viktimat e këtij incidenti dhe unë jam mirënjohëse për oficerët e policisë që u përgjigjën. Më vjen shumë keq për humbjen e oficerit Talley“, tha Herold.
Talley ishte pjesë e departamentit të policisë që nga viti 2010, sipas Herold.
Prokurori i Qarkut Michael Dougherty gjithashtu shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë dhe kolegët e Talley. “Ai ishte një nga oficerët e shquar të Departamentit të Policisë Boulder dhe jeta e tij u ndërpre shumë shpejt“, tha ai. “Ata ishin njerëz që po kalonin ditën e tyre, duke bërë pazaret e ushqimit dhe jeta e tyre u ndërpre papritmas dhe tragjikisht nga atentatori“.
Autoritetet lokale, shtetërore dhe federale iu përgjigjën incidentit, duke përfshirë FBI dhe ATF. Hetimi është duke vazhduar dhe ka të ngjarë të duhen të paktën pesë ditë për të përfunduar, tha Herold.
Top Channel