Luljeta Bozo dhe Najada Çomo në listën e PS/ Rama: Nuk është zgjedhje e rastësishme, patën rol të rëndësishëm në 15 muajt e fundit

23/03/2021 16:25

Kryeministri Edi Rama është mbledhur me kandidatët për deputetë në listën e PS për qarkun e Tiranës, ku udhëheqin Luljeta Bozo dhe Najada Çomo.

Këto emra u komentuan gjatë, por Rama sqaroi se zgjedhja e tyre nuk është e rastësishme duke theksuar se kanë pasur rol të rëndësishëm në 15 muajt e fundit.

Rama: Është e qartë që qoftë zgjedhja e Luljetës, qoftë e Najadës nuk janë të rastësishme në një kohë kur ne jemi detyruar të përballemi me dy sfida të jashtëzakonshme, të cilat e kanë thyer në mes mandatin tonë të dytë duke bërë që prioritetet tona të spostohen në dy drejtime të paparashikuara më parë, rindërtimi dhe pandemia, e cila e sprovoi deri në fund sistemin tonë shëndetësor dhe na sprovoi deri në fund si shoqëri.

Ajo që mbetet ende për tu bërë për shëndetësinë nuk është pak dhe sigurisht që vjen natyrshëm edhe pyetja se çfarë do të mund të kishim bërë dhe si mund ta përballonim si shoqëri goditjen nga virusi nëse nuk do të kishim bërë të gjithë ato punë të mëdha që janë bërë në sektorin e shëndetësisë në të gjitha vitet që i pararendën kësaj goditje.

Është e paimagjinueshme të mendosh se çfarë përkujdesje do kishte sistemi ynë shëndetësor duke iu qëndruar pranë njerëzve në nevojë nëse virusi do të kishte zbritur në këtë vend jo shumë vite më parë kur spitalet dhe sistemi ynë ishin në një gjendje që të thuash e mjerueshme është pak.

Prania e Luljetës dhe Najadës në këtë skuadër është nga njëra anë adresimi i nevojës së përfaqësimit tek kategori profesionistësh dhe individësh që kanë pasur rol të jashtëzakonshëm në këto 15 muaj të fundit nëse nisemi që nga tërmeti. Është dhe shprehja e vullnetit tonë për të çuar deri në fund përballjet e nisura qoftë me zhbërjen të gjurmëve të tërmetit dhe besoj do bëhen realitet deri pranverën e ardhshme për të sistemuar të gjitha familjet që kanë nevojë, qoftë për të dalë nga tuneli i kësaj pandemie që e ka shtrënguar fort hapësirën e gjithë aktivitetit normal.

Jemi e vetmja forcë që kemi idenë se ku duhet të arrijmë. Pa diskutim që ne jemi të vetëdijshëm se shumëçka mund të ishte bërë ndryshe. E di që edhe ne kemi bërë gabimet tona, por në tërësi punët tona kanë shërbyer për vendin dhe sot është më i përparuar se sa ishte kur morëm detyrën.

Është e paimagjinueshme të mendosh që Shqipëria të bjerë në duart e atij konglomerati njerëzish që e kanë lënë gjumin e tyre shumë më shumë për keq se sa për mirë, ndërkohë që sot i duhen vendit vazhdimi me më shumë energji dhe forcë i të gjitha reformave dhe punëve të nisura. Ka shumë për të bërë por dhe shumë për të humbur vendi në këto zgjedhje e për këto arsye, beteja jonë është kaq e rëndësishme për vendin e për të ardhmen se sa për të gjithë ne që jemi këtu në nivelin personal.

Top Channel