Rubla ruse ka pësuar një rënie pikiatë kundrejt dollarit amerikan, e po ashtu ranë ndjeshëm edhe bonot e thesarit, pasi presidenti amerikan, Joe Biden deklaroi se homologu i tij Vladimit Putin do të “paguajë çmimin” e përpjekjeve për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2020-tës.

Tregu rus po ndikohet prej muajsh nga rreziku i sanksioneve të reja ndaj Moskës, dhe komentet e fundit i forcuan shqetësimet për ndëshkime të reja.

Rubla ra me 1.4%, në vlerën 73.90 në këmbim të një dollari amerikan, ndërsa pak më parë kishte arritur vlerën 74, në dallim nga 72.53 që arriti të martën, pika më e ulët në gati shtatë muajt e fundit. Ndikimi gjeopolitik tek rubla mbetet domethënës. Kursi i rublës ishte rreth 61 për një dollar në fillimin e vitit 2020, kur çmimet e karburantit ishin për herë të fundit pranë çmimit të tanishëm, 68 dollarë për fuçi.

Do të ketë më shumë sanksione; kjo është e qartë. Pyetja është sa të ashpra?“, tha Peter Kisler i kompanisë North Asset Management. Kisler u shpreh se Washington-i mund të vendosë sanksione kundër blerjes së bonove të thesarit, OFZ, në rubla nga bankat amerikane, drejtpërdrejt nga ministria ruse e financave.”Do të ishte e mjaftueshme për një rënie të mirë të rublës“, shpjegoi ai  duke parashikuar se banka qendrore ruse do të ndërhynte për të stabilizuar monedhën nëse do të ishte e nevojshme. Ministri rus i Financave, Anton Siluanov deklaroi se do të ishte për të ardhur keq nëse të huajt ndalonin së bleri borxhin e Rusisë, por Moska do të gjente mënyra për të financuar kostot e saj.

 

Top Channel