Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë konstruktive sa i takon çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit, tha të martën, kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
“Do të punojmë për interesin e Republikës së Kosovës, dhe ky interes nënkupton që do të jemi konstruktiv, të jemi të afërt ndërmjet veti, duke i projektuar idetë tona, por njëkohësisht duke i shërbyer institucioneve të Republikës së Kosovës. Do të jemi konstruktiv, duke i mbrojtur idetë, pozicionet dhe idealet dhe idetë e LDK-së”, tha Abdixhiku.
Gjatë një deklarate për shtyp, pas homazheve në kompleksin memorial të familjes Jashari në Prekaz, Abdixhiku po ashtu konfirmoi se të premten, do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin dhe kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. Osmani dhe Kurti, të hënën zhvilluan takime konsultative me krerët e Partisë Demokratike dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me formimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ndërkaq, të martën, zhvilluan takime me përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.
Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor është caktuar 22 marsi si dita e mbajtja e seancës konstituive të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës. Përveç konstituimit të kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë, deputetët duhet të zgjedhin edhe presidentin e ri të vendit. Presidenti i Republikës së Kosovës, zgjidhet nga kuvendi, me votim të fshehtë. Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të kuvendit.
Top Channel