Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se për disa javë pritet arritja e vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, në mënyrë që të fillojë vaksinimi masiv.
Në takimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me Covid-19, Hoti tha se “ Kosova është në fazën e fundit të pandemisë”.
“Ministri ka punuar që sa kohë në sigurimin e vaksinës për të cilën kemi pasur pak kritika publike krejtësisht të pabazuara sepse ajo që ka ndodhur në regjion është vaksina që kanë ardh nga vendet e Lindjes, pa u përmend fare emrin, që nuk janë të certifikuara dhe nuk i kanë kryer të gjitha protokollet e nevojshme, ne nuk kemi hyrë në ato lojëra që të sigurojmë vaksinat vetëm sa për imazh publik, tash besoj për disa ditë vinë furnizimet e para me vaksina, është bërë strategjia e imunizimit”
Edhe Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se angazhimet për sigurimin e vaksinës nga autoritete kompetente nuk janë ndërprerë asnjëherë.
“Ne kemi bërë më shumë se çdo shtet tjetër i rajonit. Kemi qenë dhe mbetemi shembull i menaxhimit të pandemisë. Mbi të gjitha, të parët kemi lejuar barërat klinike apo përdorimin e plazmës që po shpëton shumë jetë. Përderisa nuk jemi pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë(OBSH), Organizatës se Kombeve të Bashkuara(OKB) dhe Bashkimit Evropian, partnerët për furnizim më vaksina nuk arrijnë të realizojnë premtimet dhe zotimet e veta. Por, përpjekjet tona nuk janë ndalur asnjëherë” tha Zemaj.
Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka arritur të sigurojë asnjë lloj të vaksinës kundër koronavirusit. Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxford-it, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.
Top Channel