Dyshimet për manipulim me vota kanë rezultuar me ndalimin e dy personave me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Prokuroria ka njoftuar se gjatë 9 marsit ka ndaluar dy persona me inicialet A.K dhe S.M nën dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” dhe “Dhënie dhe marrje ryshfeti në lidhje me votimin”.
“Prokurori i shtetit gjatë ditës së sotme do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për dy personat e lartcekur për shkak të dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprat si më lartë.
Gjithashtu, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale është duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast”, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës.
Nëse Prokuroria ka prova të mjaftueshme për dënimin e personave, atëherë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tregon se Kodi Penal i Kosovës parasheh dënimin me burg deri në pesë vjet.
Megjithëkëtë, Miftaraj thotë se nëse Prokuroria ka vullnet dhe guxim mund të zbuloj nëse mbrapa dy punëtorëve të KQZ-së, qëndron një grup apo ndërmarrje kriminale.
Pretendimet për manipulim me vota përmes një video incizim, kishin qarkulluar ditë më parë në mediat vendore.
Në xhirim pretendohej se bashkëshorti i ish kryediplomates, Meliza Haradinaj Stublla u kishte dhënë komisionerëve 6 mijë euro për ndryshim të rezultatit zgjedhor që bashkëshortja e tij të bëhet deputete.
Si rrjedhojë, Haradinaj Stublla dha dorëheqje nga pozicionet shtetërore dhe partiake, duke mohuar pretendimet.
Top Channel