Juventusi triumfon me rikthim derbin e javës ndaj Lazios

06/03/2021 22:51

Juventusi ka fituar ndaj Lazios me rezultat 3-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të në Serie A.

Zonja e Vjetër ka triumfuar me rikthim një ndeshje shumë të hapur dhe të vështirë ndaj Lazios.

Pjesa e parë e ndeshjes thuajse ishte e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilët përveç rasteve shënuan edhe nga një gol.

Të parët në epërsi kaluan mysafirët me anë të Joaquin Correa (14’) për 0-1, ndërsa Juventusi barazoi me anë të Adrien Rabiot (39’).

Në pjesën e dytë, Juventusi ishte më e mirë dhe më kërkuese duke arritur t’i shënojë edhe dy gola për të siguruar një fitore të madhe.

Ishte sulmuesi Alvaro Morata, i cili në minutën e 57-të shënoi për 2-1, ndërsa në minutën e 60-të për 3-1 nga penalltia.

Deri në fund të ndeshjes, Lazio tentoi ta gjente golin, por pa arritur të ketë sukses dhe në fund ndeshja u mbyll me fitoren e Juventusit me rezultat 3-1.

Pas kësaj fitore, Juventusi e sheh veten në pozitën e tretë me 52 pikë, ndërsa Lazio zë vendin e shtatë me 43 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Bianconerët luajnë në udhëtim te Cagliari, ndërsa Lazio e pret në shtëpi Crotonen.

Top Channel