Kullat e Jasharëve në gjendje të rëndë edhe pas 23 vjetëve nga Epopeja e UÇK-së

05/03/2021 14:04

Edhe këtë vit, në shënimin e 23 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “dora” e shtetit po mungon në ruajtjen dhe konservimin e kullave të Jasharëve që të mos shemben.

23 vjet nga beteja dhe sakrifica e lavdishme e komandantit legjendar Adem Jashari, qytetarët shprehën të mllefosur me institucionet për neglizhencën që i kanë bërë kullave të Jasharëve. Ndërsa përgjegjësitë nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale nuk pranuan të flasin.

Faruk Rexha, i cili ka ardhur nga Komuna e Vitisë për të nderuar familjen Jashari thotë për KosovaPress se gjendja e mjerueshme e kullave është për shkak të neglizhencës së institucioneve.

“Institucionet është dashur të merren me këtë. Fatkeqësisht nuk kanë punuar mjaftueshëm deri tani. Është dashur të punohet më shumë sidomos në monumentet historike që duhet të riparohen, është për brezat e ardhshme. Pasi gjendja është e mjerueshme krejt faji është tek institucionet”, thotë ai.

Më kritikë ndaj institucioneve shprehët, Selman Sylejmani, i cili thotë se këtë gjendje të mjerueshme të kullave nuk mund ta sheh askund.

“Këtu shteti ka neglizhuar çdo gjë. Ky vend është dashur të bëhet në lule, por gjithsesi është mjerim me pa në këtë gjendje këto kulla. Këtë vend, këtu veç syri mundet me pa, se ma gjendje të mjerueshme nuk mund të sheh as në Afrikë”, deklaron ai.

Lidhur me këtë gjendje, ciceroni i cili është angazhuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale nuk pranoi të flas.

Por, Xhevat Imeri ka përshkruar sakrificën e familjes Jashari për liri të vendit në vitin 1998.

“Gjithçka është e lidhur rreth këtij vendi dhe kësaj familje. Kur e them këtë është se në Prekaz u derdh gjaku, por edhe ai vend nga i cili erdhi liria e Kosovës[…]ka qenë familja që ka sakrifiku edhe më të shenjtën me të vetëm qëllim lirinë e Kosovës. Duke pas parasysh edhe sulmin e parë që ka ndodhur në viti 1991 dhe sulmin e dytë në 22 janar në vitin 1998 kur familja kishte mundësi të tërhiqet por vendosën të qëndrojnë e të bëjnë edhe më të fortë rezistencën”, thotë ai.

E detaj rreth betejës që është zhvilluar 23 vjet më parë për KosovaPress shpalosi Selman Sylejmani.

“Më 9 mars kam hyrë në këtë kullë këtu e kam gjetur të rrënuar e si më keq. Kemi qenë të pikëlluar për atë tragjedi dhe gjenocid që e bëri serbi në këtë vend padrejtësisht. Por jemi krenar me familjen Jashari”, deklaron ai.

Konservimi i kullave të Jasharëve është planifikuar të niste në vitin 2019 përmes një vendimi qeveritar. Ndërsa në vitin 2018 kishte miratuar Ligjin për Kompleksin Adem Jashari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA