Fiks Fare denoncoi një skemë mashtrimi që qarkullon në internet, ku qindra persona janë kontaktuar nga “agjentë” anonimë për të paguar 150 dollarë. Dhe, pasi bëjnë këtë pagesë, këta persona duhet të dërgojnë në këtë grup 3 persona në javë.

Më pas, mund të marrin bonuse… Por, edhe secili nga 3 “të peshkuarit” duhet të dërgojë 3 persona të tjerë dhe në këtë mënyrë skema përhapet me shpejtësi. Fitues është gjithmonë personi i parë, ndërkohë personat e tjerë ndajnë “thërrimet” me njëri-tjetrin. Por, të fundit, nëse nuk dërgojnë në skemë numrin e caktuar, duhet të ribëjnë një pagesë prej 100 USD që të ngelin në skemë. Kamuflimi, sipas ankesave që kanë mbërritur në redaksinë e “Fiks Fare”, është një “bonus” që u ofrojnë këtyre personave për udhëtime apo pushime.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua një qytetar, i cili pasi ishte pushuar nga puna nga një Call Center, si pasojë e pandemisë, kërkoi në internet një punë të re. Ka kërkuar në rrjete sociale dhe ka parë me dhjetëra njoftime punësimi.

“Puno online. Rrogë mujore + bonuse. Bashkohu me skuadrën. Punën e merr me vete, mjafton një telefon. Për më shumë informacion kontaktoni…” thuhet në një nga këto njoftime. Në njoftimin tjetër, individë të ndryshëm shkruajnë se “puno nga shtëpia si konsulent turistik, rrogë mujore + bonuse. Bëhu pronar i vetes tënde”. Denoncuesi thotë, personat përdorin një emër “MWR Life Albania”. “Është një kompani me formë piramidale. Kjo skemë funksionon edhe me shtete të tjera. Por, tek ne është shtuar shumë. Ky grup kryen telefonata, mashtrim dhe rekrutim të personave. Kjo bëhet nëpërmjet një aplikacioni ‘zoom’. Atje janë pjesëtarë të stafit që mundohen të rekrujtojnë sa më shumë persona.” thotë denoncuesi.

Më tej, ai telefonon një nga numrat që ofronte punë. Nga krahu tjetër, “punëdhënësja” i thotë se “firma është me bazë në Hong Kong”. Denoncuesi pohon se skema është që i pari paguan 150 USD kuotë anëtarësimi. Për 1 muaj duhet të rekrutojë 12 persona. Këta 12 persona duhet të paguajnë secili nga 150 USD. I pari merr bonuset më të mëdha, të tjerët… bakshishet!

Pas ankesës, denoncuesi futet në aplikacionin “zoom”, ku një vajzë prezanton “të mirat” e kësaj firme, madje edhe përfitimet. Ajo pohon të gjithë skemën e përmendur pikërisht nga denoncuesi, ku thotë se “për t’u anëtarësuar duhen 150 USD”. Dhe, çdo anëtar i ri duhet të paguajë secili nga 150 USD… “Këtë projekt e kam nisur që në datën 6 prill të vitit të kaluar.

Kam qenë në të njëjtën pozicion si ju dhe aktualisht jam ‘district menager’ në këtë kompani. Në momentin që Arjola sjell brenda 7 ditëve të para 3 konsulentë që hyjnë përmes platformës elite. Arjola merr 30 USD për secilin ose 200 USD bonus. Nëse sjell 3 persona të tjerë nëpërmjet platformës pro, merr 10 USD për secilin dhe 100 USD bonus. Përveçse kësaj fiton edhe 100 USD në muaj dhe kompenson koston e anëtarësimit. Në momentin që Arjola u rrit në klasifikim dhe u bë menaxher dhe bën të njëjtën gjë edhe javën e dytë, pra në 7 ditëshin e dytë, sjell 3 konsulentë të tjerë, nuk merr 30 USD për secilin, por 40 USD për secilin, pra merr 320. Në momentin që bën të njëjtën gjë edhe javën e tretë dhe nëse brenda 21 ditëve të para Arjola sjell 9 miq të platformës Elite merr 930 USD bonus. Nëse sjell 9 konsulentë të platformës pro merr 410 USD bonus” thotë ajo përmes platformës online.

Denoncuesi e pyet për pagesat e personave të tjerë. “Asnjëri nuk punon për njëri-tjetrin, punojnë të gjithë për vete. Nëse nuk sjell anëtarë, ka kosto 100 USD, po ti s’duhet ta quash pagesë. Ti do ta quash kursim. Ti thjesht nuk e ke çuar te banka, ja ke besuar kompanisë dhe prandaj kompania t’i kthen në pikë të besuara” i thotë ajo, ndërsa denoncuesi e pyet për zyrat e kompanisë. Ajo i thotë se “ti merr një zyrë online”, ndërsa i shpjegon se pagesa e anëtarësimit bëhet në faqen e kompanisë.

Pas ankesës, gazetarët e “Fiks Fare” telefonojnë disa numra telefoni që gjenden kudo në internet, të cilët ofrojnë “punë nga shtëpia”. Anëtarja e parë thotë se kompania e ka qendrën në SHBA, ndërsa e konfirmon se ka paguar 150 USD për anëtarësim. Në fund, pohon se është vetëm 18 vjeçe dhe megjithatë kërkon njerës në punë.

Ndërkohë, Fiksi telefonon një numër tjetër. “Këtu je pa pronar. Puno sa orë të duash, kur të duash. Pagën e vendos ti. Për sa të punosh aq merr” thotë ai, ndërsa gazetarët e pyesin se nëse e duan 5 mijë euro, çfarë duhet të bëjnë.

Ai i thotë se “ti do të punosh për atë”. Pasi gazetarët i prezantohen, ai i thotë se “unë jam përgjegjës për veten tim”. Emisioni investigativ kërkoi një numër kontakti të firmës, ndërsa një person fillimisht u prezantua si përgjegjës. “Nga kompania ‘MWR Life’ ofrojmë vende pune” tha ai, ndërsa më vonë pohoi se “nuk jam përgjegjës i kësaj kompanie”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA