Mutacionet ngjallin panik/ Francë e Gjermani, kontrolle të rrepta kufitare

01/03/2021 13:55

Në rajonin kufitar të Francës me Gjermaninë, Moselle është përhapur varianti afrikan i koronavirusit (B1351).

Sipas të dhënave të kryeministrit francez Jean Castex me këtë variant janë konstatuar 60 përqind e rasteve pozitive në zona, e kjo ka ngjallur shqetësim në Gjermani ku kjo kuotë është vetëm një përqind. Edhe incidenca shtatë ditore (numri i infeksioneve për 100.000 banorë në shtatë ditë) është afërsisht 300, shumë më e lartë se në anën tjetër të kufirit, në Saarland që ka një kuotë incidence 73, ndërsa në landin fqinjë, Renani-Palatinata kuota është vetëm 49.  Tani departamenti në zonën Moselle në Francë me rreth një milionë banorë është klasifikuar nga gjermanët si zonë e ashtuquajtur me variant të virusit.

Nga dita e martë, do të hyjnë në fuqi rregulla të ashpra qarkullimi mes dy vendeve në këtë pikëkalimi. Personat qe duan të hyjnë në Gjermani do të duhët të paraqesin një test negativ të koronavirusit, jo më të vjetër se 48 orë dhe të regjistrohen online përpara se të kalojë kufirin. Shoqëritë ajrore si dhe sipërmarrjet e autobusëve nuk lejohen të trasnportojnë pasagjerë nga Moselle për në Gjermani. Në Moselle kjo levizje ka ngjallur indinjate te madhe.  Presidenti i rajonit Grand Est ku bën pjesë edhe ky qytet, Jean Rottner,  tha në median franceze Franceinfo, se kemi pasur në fakt përshtypjen që autoritetet e të dyja vendeve po bashkëpunonin në mënyrë të frytshme, por tani ky vendim tha ai,  është „brutal” dhe i „njëanshëm”.

Top Channel