Nga një shtet që e përballoi mirë valën e parë të koronavirusit, Mali i Zi sot konsiderohet ndër vendet me numrin më të lartë të infektimeve në Europë.
Nga e marta, atje hyjnë në fuqi masa të reja shtrënguese për të penguar përhapjen e shpejtë të infektimeve. Ministria malazeze e Shëndetësisë njoftoi se Komisioni për Mbrojtjen e popullsisë nga infektimi me Covid -19, me propozim të Institutit për Shëndetin Publik ka vendosur që në qytetet Podgoricë, Nikshiq, Cetinjë, Ulqin , Herceg Novi dhe Plluzhinë të hyjnë në fuqi masa të rrepta që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së infektimit me Covid -19.
“Lock down ” parasheh kufizime dhe ndalime komunikacioni ndërmjet qyteteve, mbyllje të bareve, kafeneve dhe restoranteve. Pa ashtu ndalohen vizitat në parqe, në ambientet për argëtimin e fëmijëve, vendeve për sport. Njerëzve për punë do t’u kërkohet verifikim i lëshuar nga punëdhënësit, ndërsa të sëmurët lëvizjet e tyre duhet t’i dokumentojnë me raportet e lëshuara nga mjeku.
Mali i Zi mbetet një nga vendet me numrin më të madh të të infektuarve në Evropë në 100 mijë banorë. Kjo shifër arrin në 1370 të prekur. Shqetësues mbetet edhe numri i vdekjeve. Vetëm javën e kaluar në Mal të Zi me 620 mijë banorë u shënuan 60 vdekje. Spitalet janë në prag kolapsi dhe personeli shëndetësor është nën presion të vazhdueshëm.
Top Channel