Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar të hënën pas raportimeve të mediave lokale në Kosovë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për të shfuqizuar fletarrestin për nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Rodoiçiq.
“Kujtojmë se Milan Radoiçiqi, të cilit gjykata ia hoqi fletarrestin, për gjithë këto vite sfidon ligjin, por edhe sovranitetin e integritetin e Republikës së Kosovës. Me veprimtarinë e tij kriminale, sidomos në veri të vendit, ai ka qenë gjithnjë pengesë e jetës normale duke terrorizuar të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve pa dallim”, është thënë në reagimin e LVV-së përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Aty është përmendur edhe se Radoiçiq është një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen e politikanit serb të Kosoëvs, Oliver Ivanoviq.
Milan Radoiçiq ka qenë në arrati dhe autoritetet e Kosovës deri më tani ishin në kërkim të tij.
Në nëntor të vitit 2020 është ngritur aktakuza e tretë për këtë rast, mirëpo procesi gjyqësor është ende pa epilog.
Ivanoviq është vrarë më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Prokuroria Speciale dhe Gjykata Themelore duhet t’ia sqarojnë publikut të Kosovës vendimin lidhur me këtë rast.
“Kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës.
Sipas saj një vendim i tillë përbën rrezik e të panjohura.
Kjo parti, fituese e zgjedheve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, është zotuar edhe një herë që kur të marrë pushtetin do të nisë procesin e vetingut në gjyqësi dhe prokurori, duke konsideruar se shtetit i duhen profesionistë dhe patriorë dhe jo “burokratë në shërbim të krimit”./REL/
Top Channel