Emisari special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti e di se Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare presin vazhdimin e dialogut dhe se kjo nuk është gjë e re për të.
Lajçak në një intervistë për RTK-në, ndër tjerash, ka thënë se dialogu për formalizmin e raporteve Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.
“Një nga arsyet përse unë vizitoj rajonin këtë radhë është pikërisht që të takohem me Albin Kurtin, të dëgjoj për planet e tij, përfshirë dialogun dhe gjithashtu t’ia përcjell atij mesazhet dhe pritjet e BE-së dhe shteteve anëtare dhe të bisedojmë bashkë si ta çojmë tutje dialogun. Kurti e di se Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare presin vazhdimin e dialogut dhe kjo nuk është gjë e re për të. Nuk ka qeveri e cila merret vetëm me një çështje. Pikërisht për këtë do të diskutojmë, se si të vendosen prioritetet. Ne tashmë kemi një përvojë me Kurtin si kryeministër. Dhe ai ishte bashkëbisedues konstruktiv. Mbi të gjitha, ishte ai që hoqi tarifat dhe mundësoi nisjen e dialogut. Bashkëpunimi në çështjet shëndetësore gjithashtu dëshmoi një nivel të lartë të qasjes konstruktive. Andaj nuk ka nevojë të krijojmë sensacione aty ku nuk ka vend”, është shprehur diplomati sllovak, i cili sot ka nisur vizitën treditore në Kosovë.
Top Channel