Kontrollet për respektimin e masave anti Covid/ 917 gjoba në të gjithë vendin

25/02/2021 15:43

917 qytetarë janë ndëshkuar me gjobë gjatë 24 orëve të fundit, pasi janë identifikuar duke shkeluar masat anti Covid.

906 qytetarë janë gjobitur me 3.000 lekë për mosmbajtje të maskës mbrojtëse.
Administratori i një biznesi privat është gjobitur me 1.000.000 lekë, pasi gjatë kontrollit, u se punonte në kundërshtim me rregullat.
Ndërsa 10 qytetarëve iu është vendosur gjoba me vlerë prej 10.000 lekësh secili, pasi janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.

Policia bën thirrje për mbajtjen e maskën mbrojtëse në ambjentet e mbyllura dhe të hapura si dhe respektimin e masave që parashikonte ndalimin e përhapjes së koronavirusit.

Njoftimi i policisë:                                                Nuk zbatuan masat anticovid, ndëshkohen me masë administrative 917 qytetarë, 906 prej tyre për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 770 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 136 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, administratorin e një subjekti që është konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 10 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.

Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Top Channel