Agjencia Kosovare e Inteligjencës është ende pa drejtor.
Që prej 17 dhjetorit 2020 kur kryeministri i kërkoi Kreshnik Gashit të largohet nga posti, kryeministri në detyrë dhe ushtruesja e detyrës së presidentit nuk janë pajtuar ende rreth emrit të ri. Ekspertët e sigurisë thonë se Hoti e Osmani shkelën ligjin për AKI-në duke e lënë këtë post bosh për më shumë se 20 ditë.
Për njohësen e çështjeve të sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj, ky është vetëm një prej shembujve si dëmtohen çështjet e sigurisë në Kosovë si pasojë e mungesës së stabilitetit politik.
“Po e vërejmë çfarë dëmi është duke shkaktuar përkundër faktit që dëme të tilla janë shkaktuar në Kosovë në vazhdimësi duke mos pasur stabilitet politik, duke mos pasur qeveri stabile, duke mos pasur qeveri që arrin të përfundojë një mandat dhe duke mos pasur institucione apo qeveri në këtë rast që janë në gjendje me bë bartjen e memories institucionale, me bë bartjen e mandatit nga një qeveri në tjetrën”.
Sipas ekspertit Drizan Shala, emërimet e drejtuesve të AKI-së janë bërë përmes preferencave politike, gjë që e ka dëmtuar këtë institucion.
“Pozita e drejtorit të AKI-së është çelësi kyç i sigurisë nacionale të Republikës së Kosovës, ne jemi në prag të zhvillimeve të qeverisë së re, jemi në prag të zhvillimeve të dialogut me qeverisje ne re, në mungesë të një drejtori në krejt këto procese mund të dëmtojnë sigurinë e Republikës së Kosovës sepse vendimmarrja bazohet vetëm të një ushtrues i detyrës, pavarësisht pozitës, profesionalizmit të saj e cila e ka fushë-veprimtarinë inteligjente, por i mungon një drejtor AKI-së që në proceset vendimmarrëse politike të brendshme e të jashtme, të jemi kredibil për të ushtruar funksionin me të cilin është emëruar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë”.
Nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë KosovaPress-it se ende nuk ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim, ndërsa presidenca nuk është përgjigjur. që prej vitit 2015 në AKI janë ndërruar tre drejtorë. I vetmi që e ka përfunduar një mandat të plotë ka qenë i emëruari i vitit 2009, Bashkim Smaka.
Top Channel