“E di se është e vështirë për t’i kapërcyer të gjithë”, Topalli: Nuk guxoj ta çoj ndërmend djegien e mandateve

23/02/2021 21:28

Jozefina Topalli, kryetarja e “Lëvizja për Ndryshim” ka sqaruar se është kundër tre partive më të mëdha politike në vendin tonë duke thënë se do të jetë e vështirë për t’i kapërcyer të gjithë.

Në “Open”, Topalli theksoi se vendi është pa opozitë reale dhe e cilëson si veprim që nuk do t’i shkonte ndërmend që të digjte mandatet.

Babaramo: Shqetësimi im është se sa ndikon në mentalitetin shqiptar kur vijon pyetja: Do ikë Rama apo do vazhdojë të jetë në pushtet? Pra sa do të ndikojë kjo listë në opozitë, apo do jetë opozitë e opozitës?

Topalli: Ne jemi kundra të treve, kjo ka qenë linja e Lëvizjes për Ndryshim. Në fund të fundit, në momente kyce, ato po dukej sikur po u kërkohej një zgjidhje, ishin bashkë me njëri-tjetrin. Ishin bashkë kur bënë kodin elektoral, për ndryshimet e fundit kushtetuese pavarësisht se ndonjëherë bënin sikur ishin të pakënaqur, u pa se ishin bashkë tek çështja e Teatrit dhe nuk po vazhdoj më të tjera. Nëse ne do zgjedhim edhe kësaj radhe të keqen më të vogël, do të sjellim një Shqipëri që kërkon një përgjegjës. Unë në jetën time nuk e kam zgjedhur kurrë të keqen më të vogël, pra të pranosh statuskuonë. Nga momenti që është lançuar “Lëvizja për Ndryshim”, nuk kemi pasur dyshimin se mund të ndryshojë dhe është thirrja drejt kurajos. Një forcë që kërkon të kapërcesh vështirësitë. Unë e di se është e vështirë për t’i kapërcyer të gjithë.

Vasili: Me kë do bëni koalicion pas zgjedhjeve?

Topalli: Vendi jonë është pa opozitë reale dhe nuk e kam fjalën vetëm tek djegia e mandateve apo dorëzimi i këshillave bashkiak që është gjëja më e papërgjegjshme që nuk do të guxoja ta çoja ndërmend.  Pse duhet të mendojmë se është ose Edi Rama ose Lulzim Basha me Ilir Metën.

Top Channel