Sot vijnë 8190 vaksina Pfizer/ Janë vaksinuar 4600 mjekë dhe infermierë dhe 400 të moshuar

22/02/2021 15:09

Ogerta Manastirliu, ministre e shëndetësisë, nga foltorja e parlamentit njoftoi për mbërritjen e një tjetër kontingjenti vaksinash nga Pfizer mbrëmjen e sotme, në aeroportin Nënë Tereza.

“Ne kemi bërë përpjekje për të siguruar një kontratë me Pfizer për 500 mijë vaksina nga e cila kanë mbërritur 8000 doza deri më sot dhe pritet lëvrimi i 8190 doza të tjera po sot”, u shpreh Manastirliu.

Ministria e shëndetësisë ecurinë e deritanishme të vaksinimit e ilustroi më këto shifra.

“Sot ne kemi mbi 4600 jetë mjekësh, infermierësh e stafesh spitalesh më të mbrojtur, për shkak të vaksinimit. Sot kemi mbi 400 jetë të moshuarish në azile, të moshuarish mbi 80 vjeç dhe kujdestarësh, më të mbrojtura për shkak të fillimit të vaksinimit. Më lejoni gjithashtu të shpreh dhe keqardhjen më të thellë për dezinformimin që ushqeu më tej disa reagime të pajustifikueshme njerëzish publikë për vaksinimin e disa qytetarëve që ishin pjesë e këtij grupi të parë, pikë së pari se ishin mbi 80 vjeç. Vërtet janë personalitete që i bëjnë nder këtij vendi dhe shoqërisë tonë, por ama kriteri dhe vetëm kriteri i moshës u mundësoi të ishin pjesë e një procesi që filloi me të moshuarit në azile. Do të vijojë dhe me +80 vjeçarë të tjerë, sipas planit për çdo fashë të grupmoshës mbi 80 vjeç”, tha ministrja.

Top Channel