Gjobat ndaj politikanëve/ Rama thumbon Metën: Babai i kësaj familje jep shembullin katastrofik! Përfytyroni të lërë Mercedesin e të marrë kalin…

22/02/2021 20:15

Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer thumbat për Presidentin Ilir Meta sa i përket mbledhjes së politikanëve në salla të vogla duke thyer rregullat e pandemisë së koronavirusit si dhe gjobat ndaj tyre.

Në fjalën e tij para gazetarëve teksa pret dozat e tjera të vaksinës Pfizer, Rama thotë se para shëndetit të njerëzve “në djall vafshin të gjitha”. Ndërsa për personat që hapin dyert e lokaleve, sugjeron që të mendojnë për veten pasi paguajnë vetë dhe rrezikojnë që tu mbyllet biznesi.

Ndër të tjera, Rama tha se do të përpiqen të bien në konsensus për mënyrën se si do të zhvillohet fushata që të gjithë t’i respektojnë rregullat e koronavirusit.

Rama: Unë mendoj se ata të cilët jua hapin dyert e lokaleve këtyre politikanëve nuk duhet t’i hapin se janë ata që paguajnë. Janë ata që paguajnë, dëmtohen dhe rrezikojnë tu mbyllet biznesi fare dhe duhet ta refuzojnë këtë gjë.

Nga ana tjetër, kur mendon që Presidenti, babai i gjithë kësaj familjeje, kryetari i të gjitha palëve është i pari që jep shembullin katastrofik, është fatkeqësi. Unë nga ana ime, ajo që bëj është që t’ju kujtoj çdo ditë të gjithë kolegëve të mi që nuk na duhen ato që mbasin nga kontakti me më shumë se 10 vetë përballë shëndetit të njerëzve dhe përballë kësaj sfide të madhe. Në djall vafshin të gjitha. Kjo është A-ja dhe ZH-ja, prandaj personalisht nuk bëj kapërcime të kësaj vije.

Unë po mendoj, se di si mund të realizohet në kushtet e kësaj lloj hapësire shumë të ngushtë njerzillëku në arenën politike që forcat politike, të paktën kryesoret që janë në garë të merren vesh se çfarë do bëjnë dhe si do e bëjnë me 25 prill. Mos harroni që çdo shtrëngim masash do interpretohet si reagim dictatorial i Edi Ramës për të zvogëluar hapësirën e fitimtarëve për të marrë Pallatin e Brigadave dhe për tu shtrirë në krevatin e perandorit. Kjo është për koston, por efektin. Kjo është një demek shumë i madh për fat të keq, mund ta shkruash masën por mund të mos funksionojë.

Po diskutojmë dhe po shohim mos gjejmë një rrugë duke iu referuar ekspertëve të tjerë përveç Komitetit të Ekspertëve, nga ata të cilët duhet të respektojnë masat më shumë, me ndonjë përjashtim që është ndëshkuar, përfaqësuesit e shumicës i respektojnë, le të flasin ekspertët e tjerë, të japin ide si do zhvillohet kjo fushatë, kush do jenë kornizat e veprimit. Të ketë një balancë, një marrëveshje dhe të gjithë t’i respektojnë rregullat. Çdo gjë që në këto kushte bëhet nga ana e qeverisë, kontestohet për 1001 arsye. Në fushatë, çdo gjë që ndodh është ta kthesh në disfavor për kundërshtarin.

Përfytyroni që presidenti mund të lërë Mercedesin që e përdor aktualisht pa eskortë kur shkon në takimet misterioze, të marrë kalin, mund të angazhojë 200-300 nga këta të dekoratave, tu japë ndonjë shpatë, atëherë është e vështirë që ta frenosh po nuk pate një konsesus se si do bëhet kjo. Rreziku për kuajt bëhet imediat sepse mund të tërbohen dhe kuajt.

Top Channel