Covidi vret 18 vjeçarin, nuk kishte asnjë sëmundje tjetër shoqëruese/ Humb jetën nëna 32 vjeçare, e shtruar në sanatorium gjatë shtatzënisë. Foshnja mbijetoi

22/02/2021 19:32

Qamil Seiti i lindur në vitin 2003 nuk arriti të mbushte 18 vjeç sepse humbi jetën nga Covid, pasi qëndroi disa ditë në terapi intensive.

I riu nuk kishte asnjë sëmundje tjetër por virusi e kishte mposhtur dhe as mosha shumë e re nuk arriti ta shpëtojë. Ai është tani viktima më e re e pandemisë që nga fillimi i saj. Qamili nga Memaliaj, ishte një i ri i pasionuar pas kuzhinës, por ditët e fundit u shkëput nga puna sepse bashkë me prindërit e tij u shtrua me urgjencë në spitalin Covid 2 në Tiranë.

Në këtë spital humbën jetën disa persona, mes tyre edhe një 32 vjeçare e cila sapo lindi edhe një foshnje. Fatmirësisht e mitura është në gjendje të mirë.

32 vjeçarja nga Elbasani, u detyrua t’i nënshtrohej një lindjeje të parakohshme me operacion çezarian. Kanë qenë pikërisht komplikacionet dhe gjendja e rënduar nga koronavirusi, që i morën jetën asaj. Sipas burimeve 32 vjeçarja nuk është e vetmja që i është nënshtruar një operacioni çezarian. Ne disa raste, spitalet Covid, janë detyruar që të marrin mjek nga maternitetet, me qëllim kryerjen e këtyre ndërhyrjeve, për pacientet e prekur me koronavirus.

Pavarësisht numrit të lartë të infektimeve në vendin tonë, në këtë spital, vijojnë të vijnë shumë ambulanca të cilat sjellin pacientë për tu trajtuar nga Covid.

Top Channel