Janari ka rezultuar pozitiv për eksportet shqiptare, që duket se po i rikthehen rritjes në 2021 pas një goditje që morën vitin e kaluar për shkak të pandemisë.

Sipas të dhënave të Instat, muajin e kaluar janë eksportuar 24 miliardë lekë apo rreth 194.2 milionë euro mallra “Made in Albania”, me një rritje të lehtë prej 3.1% kundrejt janarit  2020.

Kjo ecuri pozitive është ndikuar më së shumti nga rritja e eksporteve të materialeve të ndërtimit e metaleve, grupi i produkteve ushqimore, pijeve alkoolike dhe duhanit me rreth 2.2% si dhe nga ai i makinerive e pjesëve të këmbimit.

Ndërsa fasonët, grupi më i madh eksportues në vend nuk ka arritur të rikuperohet as janarin, pasi tekstilet dhe këpucët u tkurrën shënuan një rëni me rreth 500 milionë lekë kundrejt 2020-ës. Një ecuri e tillë pritet të ndjekin edhe muajt e ardhshëm pasi përfaqësuesit e sektorit kanë deklaruar se nuk kanë kontrata të reja dhe shtetet partnere kanë vendosur sërish masa bllokuese.

Pandemia duket se ka prekur edhe sektorin e mineraleve e energjisë elektrike, pasi eksportet e këtij grupi u tkurrën me rreth 1.7% muajin e kaluar.

Sa i takon vendeve partnere drejt të cilave eksportet shqiptare kanë parë rritjen  më të madhe, kryeson Italia fqinje dhe Kina e largët me një rritje prej më shumë se 400 milionë lekë eksporte se në 2020-ën.

Edhe importet nga ana tjetër kanë ndjekur të njëjtin trend rritës, duke arritur në 45 miliardë lekë në janar, apo rreth 3 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Shqipëria ka importuar më shumë minerale, lëndë djegëse e energji elektrike si dhe makineri e pjesë këmbimi, që kanë ndikuar edhe në rritjen totale të produkteve të importuara.

Rritje ka pësuar edhe deficit tregtar duke arritur në 22 miliardë lekë apo rreth 178 milionë euro në janar, teksa në raport me dhjetorin ka parë një rënie të ndjeshme prej 16 miliardë lekë.

Top Channel