Ditët e ftohta dhe të acarta që kanë përfshirë vendin mund të jenë fatale për njerëzit që sot nuk kanë as një strehë të ngrohtë.
Në qytetin e Tiranës punonjësit e Bashkisë të cilët ndodhen në terren edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes, kanë ndihmuar sërish qytetarë që vështirësi të ndryshme i kanë detyruar të kalojnë natën jashtë.
Të paktën 4 persona janë strehuar mbrëmë në qendrat sociale të kryeqytetit, ku përveç strehës kanë gjetur edhe ushqim të ngrohtë dhe ambient social. Të katër qytetarët, përgjithësisht nga rreth të ndryshme e të gjendur pa strehë një natë më parë në disa prej rrugëve të Tiranës, sot ndodhen në një prej qendrave sociale të hapura nga Bashkia e Tiranës pikërisht për njerëzit që ndodhen në situatë rruge.
Bashkia e Tiranës ka ngritur në të gjithë qytetin disa qendra sociale ku përveç një vakti të ngrohtë, ata marrin edhe të gjithë kujdesin e punonjësve social si dhe nëse është e nevojshme edhe vizitat mjekësore. Qendrat sociale kontaktojnë më pas edhe me familjarët e personave që ndodhen në situatë rruge për t’iu ardhur sa më ndihmë atyre.
Top Channel