Shkodër- Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar nga afër qendrën e vaksinimit në Pallatin e Sportit në Shkodër, ku ka nisur procesi vaksinimit për personelin shëndetësor.
“Sot fillojmë vaksinimin në Shkodër, 150 vaksinimet e para, por ndërkohë në ditët e ardhshme do të rritet numri i vaksinimeve nga 300 vaksinime në ditë e më pas 500 dhe këtë javë do të hapim dhe Qendrën e Vaksinimit në Vlorë, duke e shtrirë vaksinimin në territor”, tha Manastirliu.
Duke folur për procesin e vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë tha se vaksina transportohet sipas të gjitha kushteve specifike.
Lidhur me hapjen e Spitaleve rajonale për trajtimin e pacientëve me COVID, Manastirliu ka bërë me dije se stafet mjekësore në këto spitale do të shpërblehen me bonus.
“Përsa i përket shpërblimit, të gjitha ato spitale rajonale që kanë trajtuar raste post covid apo suspect covid, në bazë të punës që kanë bërë, i kemi shpërblyer me bonus, sipas ngarkesës që kanë pasur. Sigurisht që tani që do të jenë me kohë të plotë, do të trajtohen si të tillë”, u shpreh ministrja Manastirliu.
Po ashtu Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë ndjekur nga afër fillimin edhe vaksinimit për të moshuarit në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër.
Manastirliu deklaroi se do të vijohet me një kalendar të kombinuar për vaksinimin e të moshuarve, paralelisht me stafet mjekësore.
“Sot jemi në Shtëpinë e të Moshuarve në kuadër të vaksinimit të kombinuar, siç e kemi prezantuar. Do të bëjnë vaksinat të gjithë të moshuarit që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve, qofshin publike apo private ato, por edhe stafet që shërbejnë aty”, tha Manastirliu.
Duke folur për sigurinë e të moshuarve në qendrat rezidenciale, Manastirliu tha se është ndjekur një strategji për ruajtjen e shëndetit të tyre, duke izoluar punonjësit.
“Kemi bërë një strategji që në fillim të pandemisë, duke mbajtur stafet të mbyllura në këto shtëpi. Stafet kanë bërë një sakrificë shumë të madhe”, tha Manastirliu.
Nga Shtëpia e të Moshuarve në Shkodër, ku ofrohet përkujdes për 45 të moshuar, Manastirliu tha se të gjithë kujdestaret në shtëpitë e përkujdesit social gjatë pandemisë janë shpërblyer me 50,000 lekë mbi pagën.
Manastirliu nënvizoi se vaksinimi do të vijojë në të gjitha shtëpitë e të moshuarve në vend.
Top Channel