Dibër/ Akset nacionale janë të kalueshme, Zefi: Janë ndëshkuar 251 drejtues mjetesh!

16/02/2021 12:05

Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar probleme edhe në Dibër, por policia ka marrë masat për të parandaluar rrëshqitjet dhe po punon për zhbllokimin e akseve rurale të disa fshatrave të thella.

Shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor ne DVP Dibër Komisar Angjelin Zefi tha se akset rrugore nacionale Peshkopi – Bulqizë – Mat, dhe Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës janë të kalueshme, ndërsa në disa vende është i nevojshëm përdorimi pajisjeve anti rrëshqitëse.

Sa i përket masave ndëshkuese që janë marrë për personat që kanë kryer shkelje, Zefi tha:

“Gjatë javës që lamë pas janë ndëshkuar 251 drejtues mjetesh për shkelje të tjera të ndryshme të Kodit Rrugor si dhe janë ndëshkuar 37 drejtues mjetesh për mosvendosje të barrierës mbrojtëse (maske),  janë pezulluar 6 leje drejtimi, (për pije alkoolike, vlefshmëri dhe mosmbajtje krahu në karrexhadë), janë ndëshkuar 4 drejtues për shkelje të Aktit Normativ, për ndalimin e lëvizjes pas orës 20.00.

Pas thirrjes që Policia bëri për të gjithë përdoruesit e rrugës, për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, gjatë javës që lamë pas janë ndëshkuar në të gjithë qarkun, 32 drejtues mjetesh që nuk kishin vendosur pajisjet antirrëshqitëse për të qarkulluar.

I bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve që të respektojnë normat e sjelljes me qëllim për të rritur sigurinë rrugore. Falë masave të marra së bashku me patrullën e përgjithshme “Shqiponjat” dhe firmat kontraktuese, është bërë e mundur parandalimi i aksidenteve rrugore. Gjatë këtij muaji nuk është evidentuar asnjë aksident.”

Top Channel